Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, deklaroi në parlament se Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet me ekipin e ri Shqipëria 2030. Ai citoi Mark Tëain me shprehjen: “Po u fole të gjithë budallenjve rrugës, nuk do të arrish kurrë në destinacion, duke iu referuar anëtarësimit të pritshëm të Shqipërisë në BE.

“Ne do ta çojmë Shqipërinë në BE, ta shohim flamurin tonë kuqezi të valëvitet krah atyre të vendeve të tjera. Shqiptarët e dinë mirë: pas 11 majit, këtë pamje do të ketë ky parlament, sikurse e ka pasur këto 12 vite, do ta ketë dhe për 4 vitet e ardhshme. Suksese dhe na shkoftë mbarë të gjithë kolegëve dhe atyre që do jenë pjesë e ekipit tonë kombëtar ‘Shqipëria 2030’, si dhe atyre që do jenë pjesë e jona në vazhdimësi.” deklaroi Balla.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, prezantoi sot në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Luksemburgun mbi informacionin e klasifikuar. Ai përshëndeti në fillim të fjalës së tij vendimin e Parlamentit Europian për të hapur zyrën rajonale në Tiranë, si një vlerësim të madh për Shqipërinë në prag të marrjes së mandatit të katërt historik që do ta çojë vendin në BE.

“Ngritja e zyrës rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë konfirmon qartë edhe një peshë të rëndësishme të Shqipërisë sonë, e cila do të vazhdojë të konsolidohet në mandatin tonë të ri si shumicë qeverisëse që do të burojë nga zgjedhjet e 11 majit. Menjëherë pas 11 majit, në fundjavën tjetër, ne do të mirëpresim në Tiranë edhe Komunitetin Politik Europian, i cili është, do ta thoja, tryeza më e madhe politike sot në kontinentin e vjetër, e cila do të sjellë në Tiranë udhëheqësit e Europës, me përjashtim të Vladimir Putinit,” deklaroi Balla.

Ai vuri në dukje se marrëveshja do të ndihmojë në operacionet e përbashkëta kundër terrorizmit, mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Ministri informoi deputetët se Shqipëria ka ratifikuar marrëveshje të ngjashme me NATO-n, Bashkimin Europian dhe një sërë vendesh partnere, ndërsa aktualisht po negociohet një marrëveshje e tillë edhe me Izraelin.

“Jemi në procesin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së sigurisë me Izraelin.”

Në përfundim, Balla i bëri thirrje deputetëve të mbështesin projektligjin, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.