Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u takua në Athinë me përfaqësues të komuniteteve të qarkut Vlorë.
Balla shpjegoi arsyen e vizitës këtë fundjavë në panairin që ofron vende pune në atdhe edhe nga sektori publik, por kryesisht nga sektori privat.
“Ju ftoj të gjithëve që të jeni nesër prej orës 9 në Technopolis. Edhe skeptiku më i madh prej jush, nesër do ta mendojë seriozisht mundësinë e rikthimit në Shqipëri.
Shqipëria sot ka nevojë për ju,” tha Balla, “sepse duhet forcë pune, sidomos turizmi ka nevojë për plot burra e gra të të gjitha moshave dhe profesioneve.
Prandaj nesër do t’ju lutesha shumë të ishit prezent, ku kryeministri, anëtarë të kabinetit, kryetarë të bashkive dhe sipërmarrës do të kenë mundësi të prezantojnë ofertën e punës, për t’ju dhënë mundësi atyre prej jush që duan të punojnë aty ku kanë zemrën, në Shqipëri.”
Duke folur për votën e 11 majit, Balla tha se procesi i regjistrimit po i afrohet fundit.
Balla u bëri thirrje të gjithë atyre që nuk arrijnë të regjistrohen të nisen drejt Shqipërisë për të votuar fizikisht më 11 maj.
“Janë edhe tri ditë në dispozicion. E diela, e hëna dhe e marta për të gjithë ata bashkatdhetarë këtu në Athinë apo në të gjithë Greqinë dhe gjithë botën që mund të regjistrohen. Mos harroni që më 11 maj ne do të mirëpresim të gjithë ata prej jush që për një arsye apo tjetër nuk u regjistruan dot që të mos mungoni më 11 maj. Një pjesë prej jush që takuam sot e kanë shprehur këtë gatishmëri, edhe pse keni 72 orë që ta kryeni këtë proces.”
Balla e cilësoi një mandat historik atë që do të marrë PS falë votës së diasporës e që do ta shohë Shqipërinë anëtare në Bashkimin Europian brenda 2029-ës.
“Këtu përmbyllet çdo lloj problemi që emigracioni shqiptar ka pasur në Greqi, pa harruar këtu marrëveshjen për njohjen e dyfishtë të pensioneve. Më thoni ju, cila prej qeverive në Shqipëri i ka hapur këto çështje në tavolinë me qeverinë greke? Vetëm Edi Rama! U desh që të vinte Rama në qeveri që kjo çështje tanimë të jetë në nivel grupesh pune në Tiranë dhe Athinë. Të mërkurën votohet marrëveshja me Italinë, “ njoftoi Balla emigrantët në Greqi.
“Na bën krenarë që kemi adresuar çështje që kanë shqetësuar ndër vite shqiptarët në Greqi, por nuk jemi ende të plotësuar, akoma na duhet të bëjmë më shumë për gjuhën shqipe. Kjo qeveri është e para që nisi dhe mbajti fjalën e dhënë para jush në maj të vitit të kaluar kur tha Edi Rama para jush se do nisim programin Mësues për Diasporën.”
Balla tha që pret nga Greqia që të ratifikojë ndër të parët, marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë, sepse kemi lidhje mes dy popujve, dy “këmbët” e një ure lidhëse, minoritetin grek dhe emigrantët.