Reforma në drejtësi është e pakthyeshme, kështu shprehet ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, teksa nënvizon rëndësinë e pavarësisë dhe integritetit të magjistratëve.
Gozato ka shpërndarë mesazhin e tij të mbajtur në një tryezë të organizuar nga Ambasada e Holandës në Tiranë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ku në fjalën e tij, ai u shpreh se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë procesin e vetingut në drejtësi.
“Megjithatë, besimi duhet të ushqehet vazhdimisht. Nuk mund të konsiderohet e dhënë. Kjo do të thotë se, ndërkohë që reforma në drejtësi është e pakthyeshme, zbatimi i saj kërkon vëmendjen dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme. Garantimi i pavarësisë dhe integritetit të magjistratëve është një detyrë e përhershme dhe një përpjekje e përhershme”, shprehet Gonzato.
Mesazhi në tryezën për reformën në drejtësi:
Përgjegjësia dhe pavarësia janë në qendër të çdo shoqërie demokratike të qeverisur nga shteti i së drejtës.
Sot në tryezën e organizuar nga Ambasada e Holandës dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Ambasadori Silvio Gonzato iu bashkua diskutimeve rreth trashëgimisë së sistemit të vetingut të vendosur nga reforma në drejtësi e vitit 2016. Reforma dhe bashkë me të edhe vetingu synon rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori dhe institucionet e tij. Kjo është arsyeja pse BE ka mbështetur procesin e vetingut që në fillim dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në përfundimin e tij.