I ftuar në ‘Studio Live’ të Report Tv, analisti Namir Lapardhaja ndau disa mendime për situatën më të fundit politike në vend, listat e kandidatëve për deputetë, partitë e reja dhe zgjedhjet e 11 majit. Çfarë mendon për partitë e reja dhe fraksionet opozitare
Lapardhaja u shpreh se Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës është një alternativë dinjitoze dhe serioze.
“Në listën e Koalicionit Euroatlantik ka njerëz të spikatur nga bota akademike, nga mjekësia, arti, kultura dhe universiteti. Janë njerëz të lirë dhe pa pengje nga e shkuara. Është një altrenativë që mund të duket e vogël, por është e duhura që mund të shndërrohet në të madhe nëse njerëzit do t’i besojnë dhe votojnë. Ka pasur shumë sulme ndaj Bashës, por ka arritur të qëndrojë dhe të prodhojë një listë dinjitoze dhe është alternativë e mirë për zgjedhjet e 11 majit” – u shpreh Lapardhaja.
Analisti Namir Lapardhaja mendon se Sali Berisha u tall me demokratët duke zhvilluar Primaret, teksa tani edhe po i vendos në lojë.
“Berisha u tall me demokratët me primaret e zhvilluara. Erdhi në PD tha se do vendoste baza, do sillte vota, do riorganizonte partinë, por tani rezulton e kundërta. I gënjeu demokratët në fillim, i talli dhe tani po tall edhe këta të tjerët, një ditë thotë një gjë e në ditën tjetër diçka ndryshe. Ka luksin e moshës që bën humor me këta, i rreh, i tall. Problemi është me këta që e ndjekin nga pas e jo me Berishën”, shprehet ai për moderatorin Arbër Hitaj.
Madje ai e sheh edhe më keq në elektorat dhe zgjedhje sesa Lulzim Basha, të cilin e largoi pasi i mori vulën e partisë me gjykatë.
“Bëri betejë artificiale për të larguar Bashën, për të ardhur vetë, humbi dhe ato bastionet që kishte fituar Basha në zgjedhjet e 2021, doli më keq, tani kërkon të fitojë zgjedhjet ndërkohë që vetëm i shërben fitoreve të Ramës. Berisha te PD është për interesa personale. Mblodhi besnikët e tij në lista. Ka marrë emra të panjohur në lista, s’i njohin as familjarët e tyre po t’i shohësh emrat.
Berisha e do partinë për t’u mbrojtur nga SPAK. Kurse Rama ka zgjedhur emra anonimë në lista, ndoshta edhe për shkak të problemeve të njerëzve të tij me drejtësinë. Fati i Ramës është Berisha dhe kjo PD, është Berisha që ka më shumë hallin e tij personal sesa zgjedhjet dhe elektoratin”, analizon Lapardhaja.