Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke risjellë në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve se mesazhi historik i Kuvendit të Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij.
“581 vite më parë, nën udhëheqësinë e Gjergj Kastriotit, u mbajt Kuvendi i Lezhës, i cili shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të parëve.
Mesazhi historik që vjen nga Kuvendi i Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tij. Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithsecilit, nga bashkimi i energjive pozitive të të gjithë shqiptarëve, kudo ata janë”, – shkroi Presidenti Begaj ne llogarinë e tij në rrjetin social në facebook.