Në Gjykatën Penale të Tiranës u mbajt seanca e radhës për gjyqin për shpifje dhe fyerje ndaj Jamarbër Malltezit dhe Belind Këlliçit, të kallëzuar penalisht nga gazetari Carlo Bollino. Bollino ka refuzuar çdo pajtim dhe seanca e sotme u zhvillua me praninë në sallë edhe të një prokurori. Por pavarësisht kësaj, gazetari Carlo Bollino i ftuar në Report Tv thotë se Belind Këlliçi vijon të përdorë gjyqin për shpifje për të shpifur prapë.

Duke folur me gazetarin Arbër Hitaj, Bollino shprehet se Këlliçi po përpiqet t’i shmanget thelbit të gjyqit duke krijuar një tym me argumente dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore si i pandehur, vazhdon me të njëjtat shpifje.

“Sot ishte seanca e radhës, prej kohësh e kam kallëzuar Këlliçin e Malltezin penalisht për pretendimet të tyre mbi procedurën e marrjes me qira të një tokë shtetërore për të ndërtuar godinën e Report Tv. Aspekti më i çuditshëm nga ky gjyq penal për shpifje, është se çdo herë që mbaron seanca, Këlliçi del nga salla dhe përdor gazetarët që janë mbledhur jashtë SPAK, ngjitur si godinë me Gjykatën Penale, për të filluar të njëjtat shpifje. Ai përdor gjyqin për shpifje për të shpifur prapë. Kjo është sikur një hajdut biçikletash që po gjykohet për vjedhje në Gjykatën sapo del nga Gjykata vjedh një tjetër biçikletë për të shkuar në shtëpi. Për mua kjo është një gjë e paimagjinueshme. Nuk tregon respekt as ndaj gjykatës që duhet ta gjykojë dhe as ndaj vetë vetes. Tani është gjykata që do vendosë, por ai po përpiqet të shmanget nga thelbi i gjyqit duke krijuar një tym me argumente nga më të ndryshmet për të mos iu përgjigjur pyetjeve bazike që unë dhe avokati, Aranit Roshi kemi paraqitur. Mesa duket nuk ka prova dhe për të shmangur përgjegjësi ligjore si i pandehur vazhdon me të njëjtat shpifje nga më të ndryshmet. Kjo është një tjetër provë se si një pjesë e opozitës e interpreton drejtësinë”, tha Bollino në Report Tv.

Bollino thotë se Këlliçi përdor si provë thjesht një kallëzim të rremë që ka dorëzuar në SPAK kundër tij, edhe pse vetë Bollino duke mos qenë zyrtar publik nuk është subjekti i SPAK-ut. Katër janë provat që Bollino kërkon që Këlliçi dhe Jamarbër Malltezi të paraqesin në Gjykatën Penale për të shmangur dënimin, por që ata i shmangen pasi nuk i kanë.

“E vërteta është e thjeshtë. Ne kemi qenë shumë vite në një ambient të vogël dhe si 80% e televizioneve të tjera kemi kërkuar mundësi për të marrë me qira një sipërfaqe shtetërore, sipas procedurës ligjore, pasi edhe media është një shërbim publik. Ne kemi bërë një konkurs publik siç e kanë bërë shumë televizione e biznese të tjera, se kjo është një praktikë që e ka shpikur vetë Berisha kur ishte kryeministër.

E kemi ndërtuar godinën me paratë tona mbi tokën shtetërore te marre me qira, por këtu fillon ngërçi. Famillja Malltezi pretendon se kjo tokë ishte e tyre dhe e kishin dhuruar bashkia me një vakëf për të ndërtuar një shkollë. Kjo nuk është e vërtetë.

Ata kanë filluar të shpifin edhe për shkelje në procedura dhe mbi të gjitha për faktin që unë kam hequr një shkollë në lagjen ku përballë kemi pallate te ndetura mbi toka e ish-klubin Partizani. Unë i kam kallëzuar për shpifje. Ata më quajnë si hajduti i tokës, ndërkohë unë jam i vetmi qiramarrës që mund të ketë vjedhur diçka që nuk e ka në pronesi.

Unë ne gjykata kam kërkuar sot të paraqesin certifikatën e pronësisë mbi tokën që pretendojnë se është e tyre. E dyta dokumentin vakëf që kanë dhuruar tokën tek Bashkia, certifikata e pronësisë që vërteton që unë jam pronari dhe e katërt prova që unë kam fituar një pronësi me procedurë të paligjshme, pronësi që unë në fakt nuk e kam. Ata nuk e kanë si prova. Sot në seancë kanë nisur të shpifin që kane bërë një kallëzim në SPAK kundër Bollinos e te tjera e të tjera. Ata ne fakt, si Partia Demokratike, brenda fushatës së linçimit kundër meje kanë bërë edhe dy kallëzime në SPAK, të gjitha të rreme. Tani kulmi është qe pretendojnë të përdorin këtë kallëzim të rremë si provë kundër meje. Kjo është përpjekje e dështuar. Një kallëzim është pozicioni i njëanshme i një pale që pretendon parregullsi e paligjshmëri, kurrë nuk mund të quhet provë. Unë nuk jam as subjekt i SPAK, ata mendojnë se jam zyrtar, por unë jam thjesht gazetar. Ata prodhojnë akuza false dhe pastaj i përdorin sikur ishin prova vetëm pse i kanë dorëzuar në SPAK”, thekson Bollino.

‘’Më e bukura është që Këlliçi e quan kallëzimin për shpifje një intimidim për të mbyllur gojën opozitës: por fushata e linçimit ndaj një gazetari të vetëm, në të cilën u mobilizua forca kryesore opozitare, si quhet? Ja, kjo është arsyeja për të cilën unë po kërkoj drejtësi. Ata linçojnë të tjerët dhe qajnë kur duhet të paguajnë faturën për shpifjen e tyre”, përfundon Carlo Bollino./Shqiptarja