Ish-anëtari i Partisë së Lirisë, Endrit Brahimllari, aktualisht i afruar te Partia Socialiste dhe kandidat i saj në Tiranë për listat e hapura në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, shprehet se partitë e reja nuk japin optimizëm te qytetarët me mënyrën elektorale se si kanë vepruar dhe për më tepër përzgjedhjen politike në lista.
Ai nuk preferoi të komentonte lëvizjet e Lulzim Bashës me video-postimet virtuale si trend elektoral i rrjeteve sociale.
Sinjalet që PS dha me gjeneratën e re dhe përfshirjen e saj, ishin të mjaftueshme për Brahimllarin që të braktiste pas kaq shumë vitesh opozitën që nuk reflektonte pas humbjeve dhe t’i bashkohej mazhorancës.
“Bashën nuk dua ta komentoj. Por Opozita kërkon ta shkrijë SPAK-un, kurse krahu tjetër e mbështet drejtësinë, madje njerëz të saj janë përballë drejtësisë. Rezultati është i parashikueshëm. PS nuk lufton për mazhorancën e thjeshtë, se e ka. Por artikulimi, programi dhe fushata është që të vijojë rruga europiane, pasaporta europiane, pra një fitore e thellë”, tha ai.
I pyetur për partitë e reja Brahimllari u shpreh:
“Vota për partitë e reja është një votë e shkuar dëm. Prisja shumë nga ato, në mënyrën se si janë konceptuar listat. Nëse e bën me kushërinj e familjarë nuk është ajo që qytetarët presin. Edhe për mazhorancën kjo që bëjnë ata është diçka e mirë se tregojnë joseriozitet, janë konceptuar jo siç duhet. Listat, tërheqjet, dhënia e dorëheqjeve, ka paqartësi. Fatet e vendit kërkojnë durim, saktësi dhe qartësi”.
Por çfarë e shtyu Brahimllarin drejt PS-së dhe çfarë bisedoi me drejtuesit e strukturave pasi braktisi PL-në, negociatat dhe projektet politike.
“Sinjalet që PS dha ishin të mjaftueshme për mua. Oferta ndaj të rinjve, afrimi i tyre, përfshirja në lista janë të qarta, iu përgjigj qytetarëve. Partia po i hapet qytetarëve dhe po mirëpritet. Në takimet që bëra me strukturat e PS kërkova të mos paragjykohesha për të kaluarën, mu pengua detyra si opozitar dhe dua të ushtroj aftësitë dhe kontributin tim. Ndihem i vlerësuar në përfshirjen në këtë ekip, vij nga 19 vite në politikë. Ndihem i vlerësuar dhe tani është detyra ime që të jap maksimumin dhe për të vijuar karrierën. Fushatën time e kam fokusuar te gjenerata e re dhe rruga europiane e vendit, pasi Shqipëria ka nevojë për pasaportën e BE-së. Ndaj duhet tejkaluar çdo paragjykim dhe përkatësi, që pasaporta europiane të jetë për çdo shqiptar”, përfundoi ai.