Pak minuta pas mbylljes së procesit të regjistrimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla falënderoi të gjithë shqiptarët që u regjistruan për të votuar me postë.

“ÇEREK MILIONI ZGJEDHËS NGA DIASPORA.

Mirënjohje të gjithë atyre që u regjistruan të marrin pjesë në këto zgjedhje historike,” shkroi Balla pak minuta pas mesnatës së 4 marsit, kur përfundoi afati për t’u regjistruar për zgjedhjet e 11 majit si votues nga jashtë.

Pas mbylljes së procesit të regjistrimit vijon përpunimi i kërkesave dhe këtë mëngjes janë mbi 232 mijë zgjedhës të regjistruar.

Nga 11 janari kur u hap procesi online kanë kërkuar të regjistrohen 294,155 zgjedhës.
KQZ njofton se ende janë në shqyrtim 20 mijë kërkesa, nga mbi 42 mijë refuzime.

Interesi i bashkatdhetarëve për këtë proces ka qenë mbresëlënës si nga shifrat ashtu dhe shtrirja gjeografike e vendeve nga erdhën kërkesat prej shqiptarëve anë e mbanë globit.