Tiranë – Pas tre vitesh që nga momenti kur u bë simbol i protestave në zonën e “5 Majit”, Nënë Liza ka marrë zyrtarisht apartamentet e reja si pjesë e procesit të shpronësimeve dhe sistemimeve të banorëve. Kryetari i Njësisë 8 në Tiranë, Dritan Dango, ka deklaruar se ajo ka përfituar dy apartamente 3+1 dhe një apartament 1+1.
“Sot pas 3 vitesh, Nënë Liza mori metrat katrorë që i takojnë duke përfituar dy apartamente të tipologjisë 3+1 dhe një apartament 1+1. Mos harrojmë që ajo banonte në një zonë periferike, kurse tani do të jetojë në një ndër zonat më të mira në Tiranë”, tha Dango në një deklaratë publike.
Ai gjithashtu ka theksuar se situata e krijuar disa vite më parë u përdor politikisht nga disa individë, të cilët sipas tij, ktheu çështjen në “lum akuzash dhe ofendimesh” ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe vetë Dangos.
Megjithatë, pavarësisht tensioneve që shoqëruan procesin, ai siguroi banorët e Kombinatit, Njësisë 8 dhe Njësisë 4 se shtëpitë e tyre do të marrin zgjidhje sipas ligjit.
Ky zhvillim vjen si pjesë e planit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, që synon sistemimin e familjeve të prekura dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e zonave të prekura.