Deputetja socialiste Blerina Gjylameti tha se Partia Socialiste synon 20 mandate në Tiranë, e sipas saj ata po kërkojnë votëbesimin për arritjet që kanë pasur në Kryeqytet.
Sipas deputetes kërkimi i 20 mandateve në Tiranë për Partinë Socialiste nuk është çështje numrash por çështje vlerash.
“Në disa detyra që kam qenë në Tiranë, nga kryetare e gruas në opozitë e më pas në shumë detyra dhe në disa njësi të Tiranës si deputete, unë kam dalë deputete e njësisë 5. Kam qenë në njësinë 4, nga njësia 4 kam kaluar në Kombinat, Vaqarr, në Kashar dhe Astir. Në 2021 kam kaluar në qarkun e Korçës. Por edhe në ato detyra që kam pasur në Tiranë, duke qenë dhe drejtuese e qarkut dhe kryetare e PS-së së Tiranës, mund ta dëshmoj se Tiranën e njoh mirë. Nuk është çështja e numrave në vetvete. Çështja e 20 mandateve nuk është numër në vetvete, por ka të bëjë me faktin e të dhënit llogari me çfarë ke bërë dhe marrjen e votëbesimit dhe të diskutimit për atë çfarë do të duhet bërë më mirë. Unë besoj se është shumë e qartë ajo që ne kërkojmë. Ka të bëjë me pjesën e marrjes së votëbesimit me çfarë është bërë”,-tha Gjylameti.
Sipas saj një nga njësitë që ka ndryshuar tërësisht është njësia 4, por edhe njësia 5 e cila sipas saj ka qenë një nga lagjet më të investuara.
“Një nga njësitë është 4. E them unë, në 2015 kur kam nisur fushatën, mund të përmend vetëm disa elemente: Bregun e Lumit, ku sot kemi situatë krejtësisht ndryshe; mund të vazhdojmë me pjesën e 5 Majit, me rikualifikimet e lagjeve, me pjesën e Kinostudios. Ne shikojmë një Tiranë krejtësisht të transformuar, që nga qendra deri në periferi, dhe këtu jetojmë. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për votën, vota kërkohet pikësëpari në emër të asaj që ne na bashkon — vlerat për PS-në — dhe e dyta, kalojmë në atë që jemi në votën personale.Unë kam qenë e 22-ta në listën e PS-së në 2013 dhe e kam marrë mandatin pasi e morën ministrat. Edhe pse e dija që nuk do të isha fituese, unë kam punuar bashkë me gjithë ekipin e PS-së për atë që na bashkon — vlerat, mundësitë për më shumë për ata që kanë më pak mundësi, për shanse më të barabarta, për një zë për ata që nuk kanë, në pjesën e rritjes së të ardhurave, shërbime më të mira, pjesën shëndetësore dhe arsimore”,-tha Gjylameti për Euronews.
Deputetja socialiste shprehu bindjen se PS do të arrijë jo vetëm të fitojë zgjedhjet e 11 majit, por dhe të bëjë Shqipërinë pjesë e familjes europiane falë reformave të ndërmarra.