Ditët e lavdisë dhe kthesës historike: Dëshmia e Besarta
Të mërkurën e 5 marsit shënohet 27-vjetori i njërës nga ngjarjet më të dhimbshme dhe simbolike të historisë së Kosovës, Masakra ndaj Familjes Jashari në Prekaz. Në marsin e vitit 1998, forcat serbe ndërmorën sulmin ndaj familjes së komandantit Adem Jashari, duke shkaktuar vdekjen e mbi 50-të anëtarëve të familjes së tij, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Vetëm një vajzë 11-vjeçare, Besarta Jashari, mbijetoi për të dëshmuar atë që ndodhi.
Në atë kohë, kjo tragjedi tronditi opinionin ndërkombëtar dhe u raportua gjerësisht nga media të huaja. Rrëfimi i parë pas masakrës është ai i gazetares amerikane Marie Colvin, e cila, në një shkrim të publikuar në Sunday Times, solli dëshminë e vetme të së mbijetuarës, Besarta Jashari.
Njëmbëdhjetë vjeçarja Besarta Jashari mban mend kur u ndërpre bombardimi i shtëpisë së saj. Me orë të tëra, zhurma ishte e padurueshme. Përderisa ishte strukur nën sofrën ku nëna e saj gatuante bukë, tavani u rrënua dhe muret dukej se po eksplodonin. Tani qetësia shqetësonte. E ngulfatur nga tymi dhe pluhuri, ajo thërriste nënën.
Derisa po hiqej zvarrë nëpër gërmadha duke qarë, i gjeti motrat e saja, Lirien, 10 vjeçe, Fatimen 8 vjeçe dhe Blerinën shtatë vjeçe. U mundua t’i zgjonte, derisa e kuptoi se ishin të vdekura, u mbulua me gjak.
Pastaj Besarta i pa vëllezërit e saj: Selvetin, 20 vjeç, Safetin, 17 vjeç, Besimin, 14 vjeç dhe Blerimin 12 vjeç. Ata gjithmonë dukeshin të fortë, Tani, të gjithë ishin të vdekur.
Më në fund, ajo e pa nënën, Feriden, flokët e zeza të ndritshme dhe zërin e ëmbël të së cilës Besarta e mbante në zemër – të shtrirë me gjymtyrë të shpërndarë në skaje të ndryshme. Ajo kurrë më nuk t’i përgjigjet thirrjes “nënë” që ia bënte vajza e saj.
Pushimi i granatimit u tregua të jetë shumë i shkurtër. Besarta do të kalonte natën dhe ditën tjetër, e vetmuar, me familjen e saj të vdekur përreth saj, përderisa bombat e serbëve po hidheshin sërish, duke goditur ndërtesën e bardhë me kulm të kuq që dikur kishte qenë shtëpia e saj.
Nxënëse e zgjuar dhe e lumtur, Besarta është e vetmja që ka mbijetuar sulmin i cili tani nuk mund të quhet asgjë tjetër pos masakër e paramenduar dhe e kryer me gjakftohtësi.