Nga Ylli Pata

Dissing, është një zhanër shumë i përhapur në komunikimin e rrjeteve sociale prej kohësh. Dissing është praktikisht një përplasje digjitale me video ndërmjet reperësh, të cilët me rimë të improvizuar dhe bazë muzikore të miksuar nga një PC, për të krijuar një atmosferë që rrit shikueshmërinë tek të rinjtë përgjithësisht.

Ky lloj zhanri përdoret shumë në të gjithë botën, por idenë e ka nga përplasja e dikurshme e legjendave të repit, të cilët e konsideronin luftë, debatin në distancë. E kjo krijonte palët pro et kontra, dmth tifozët e verbër.

Kjo lloj lufte ka qenë prezente edhe tek ne, kur përplaseshin palët a me Noysin a me Stresin, por që më pas u shtri edhe të tjerë. Kjo metodë rriste dikur shitjen e disqeve e kasetave të një zhanri muzikor, që zbaviste jo nga muzika dhe magjia e saj, por nga zhurma që sillte. Në kohën aktuale të rrjeteve sociale, ky lloj dissing perdor si arenë Instagramin apo tik-tok-un. E ku nuk përplasen vetëm reperat, por edhe personazhe që s’kanë lidhje me repin, po thjeshtë bëjnë lidhje dyshe e i këpusin budallallëqe e fjalë sa më të “pista”, vetëm që të kenë shikueshmëri të lartë.

Si papritur ky lloj dissing-u, ka hyrë nga fillimi i javës, në fushatën elektorale, ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Një duel që ka vetëm batuta, të qeshura, paksa muzikë në sfond, e sa më shumë mizanskena teatrale. Sado jo konvencionale që të duket, sado sipërfaqësore, fakt është se këto video të shkurtëra të dissing-ut Edi-Lul po ecin.

Vetëm episodi 5 “Zgjimi i Lulit” i hedhur nga Edi Rama në faqen e tij në Facebook, ka 145 mijë shikues. Një audiencë impresionante të cilën nuk e arrijnë realisht televizionet që shohim përditë, përveç ndonjë program prime time apo që ka një shikueshmëri të hershme. Ndërkaq, videoja e fundit e Lulzim Bashës, i cili nuk kujdeset t’i vërë tituj dhe grafikë “veprave” të tij, ka marrë 26 mijë shikues në facebook.

Një audiencë gjithashtu e rëndësishme, kur postimet e mëparshme, qoftë video qoftë të shkruara nuk kapnin as gjysmën e kësaj audience.

Që do të thotë, se një qëllim e ka arritur ky komunikim absurd mes politikanëve në një kohë, ku gjithçka është kthyer në reality show.

Megjithatë, përveç aspektit të shikueshmërisë dhe depërtimit në atë pjesë të audiencës, që nuk e bën me mjetet normale të komunikimit, ky duel nuk është tjetër veçse një sinjal dhe lëvizje politike.

Lëvizje politike e nisur nga Edi Rama dhe e kapur shumë shpejt e me intuitë nga Lulzim Basha. i cili, jo vetëm që nuk humb gjë nga ky dissing, por vetëm mund të jetë prezent në skenën politike, ku në kushte normale nuk do ta kishte të mundur, pasi në televizione janë vetëm dy të mëdhenjtë.

Rama, i cili e nisi vetë këtë “lojë”, e ka studiuar që të jetë në linjë të mesazhit të tij elektoral. Mesazh që ka thuajse një thirrje që përsëritet madje disa herë në ditë. “Nuk bëhet fjalë për votat tona të socialistëve, që do t’i kemi, por në duam vota nga demokratët për të arritur jo një fitore por një triumf që të na japë një mbështetje të madhe për Shqipërinë në BE”.

Ndërkaq, mesazhi i Lulzim Bashës, është baza e asaj që ai kërkon tu përçojë ndjekësve të tij, se mazhoranca është përfshirë në hetime, e shumë personazhe janë sot pre e SPAK. Në realitet, Basha nuk po thotë ndonjë gjë që nuk e ka thënë herë tjetër, pasi atë bën përditë. Por mënyra dhe shikueshmëria është ku e ku me mënyrat analoge. “Ku i ke shoket o Rame”, i thotë Basha, ndërkohë që Rama, nuk sqaron po përdor batutën: “një bie, mijëra ngrihen”. Në një farë mënyrë të dy palët e japin mesazhin aty ku duhet.

Ndërkaq, Sali Berisha që është realisht rivali ballor i Edi Ramës, ka mbetur i mënjanuar nga një duel me Ramën që e kërkon prej kohësh. Fiks si peshku në të thatë, ose siç e quan Rama një buf që rri në moçalin e tij. Kryeministri nuk ja ka dhënë kurre shansin e një debati a përballje, edhe pse ka bërë marrëveshje të shpeshta me të kohët e fundit, por jo direkte.

Ndaj edhe Berisha po synon ta konsiderojë këtë lojë reperësh, një gjë të stisur, në një farë mënyre të korrdinuar. Edhe në qoftë se është, gjithsesi duket një instrument politik që e ka lënë jashtë Berishën, i cili duhet ose të komunikojë me “xhematin” e tij besnik, ose do të shtyjë me zor emisione si ai i kësaj fillim jave, kur te Grida shkarkuan Yuri Kim, madje edhe e shpallën të pandehur. Fabul që u shkri vëtëm pas 12 orësh…

TemA