Edi Rama thotë se Shqipëria është drejt rrugës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian, dhe për ta arritur këtë nuk mund ta bëjë askush tjetër përveç tij.
Sipas kryeministrit, deri në momentin që Shqipëria nuk është ende pjesë e BE, ka rëndësi shumë të madhe se kush qeveris në Shqipëri. Edhe sot, në komunikimin e tij live në Facebook të martave, Rama nuk ia kurseu ironitë opozitës, ndërsa iu drejtua sërish “bufit të kënetës” (duke iu referuar Sali Berishës) duke i thënë se nuk do të ndodhë dhe as duhet të ndodhë që SPAK të shkrihet.
“Është bufi i kënetës apo kushdo qoftë që thotë do shkrijmë SPAK, kjo nuk duhet dhe nuk do varet më nga vullnetet e brendshme në momentin që jemi në BE. Standardet e bashkëjetesës demokratike dhe gjithë proceset e tjera janë pjesë e të jetuarit të përditshëm në familjen e madhe të Europës. Për ta vizualizuar, kini parasysh me futjen në BE pasaporta e secilit nuk është më Republika e Shqipërisë me të drejtë lëvizje, por sipër aty do të shkruhet bashkimi europian. Kapërcim epokal që ia detyrojmë fëmijëve tanë, nuk ka lidhje fare e lagu se lagu bufi bishtin këtu në Shqipëri, jo po e majta, jo po e djathta.
Për sa kohë nuk jemi aty brenda, ka shumë rëndësi se kush qeveris sot këtu, dhe këtë e dinë dhe ata që nuk duan ta pranojnë, se këtë raport që kemi vendosur unë dhe PS dhe Europën dhe botën nuk e kemi pasur kurrë, dhe unë e di si bëhet kjo punë dhe si mbyllet ky proces! Askush tjetër nuk e bën dot. Dhe ndaj jam këtu dhe duroj lloj-lloj salamandrash, e insektesh”, tha Rama.