Kryeministri Rama vizitoi sot në Durrës fabrikën “Next Generation Perfumes”, ku Parfumet “Made in Albania” janë dëshmia se si cilësia shqiptare po depërton në tregjet europiane, duke sjellë një histori suksesi që tregon fuqinë e investimeve të huaja në vendin.
Në takimin me stafin e punonjësve dhe sipërmarrësve, Kryeministri tha se do të vijojë mbështetja e qeverisë shqiptare për sipërmarrjet që investojnë dhe krijojnë zhvillim si një rrugë e sigurt drejt një ekonomie më të fortë.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Unë po çohem në këmbë se nuk mund te rri ulur përballë gjithë këtyre grave dhe siç e tha edhe ambasadori në Shqipëri ‘’shyqyr që janë gratë’’.
Ai nuk e tha tamam kështu, por tha “si shpjegohet që gratë janë kaq forcë e madhe në Shqipëri”. Unë them shyqyr që janë se parafytyroni tani sikur t’i ngelej burrave kjo punë e gjitha në dorë se ça do ndodhte, ose parafytyroni sikur ju të iknit një muaj e t’i linit burrat vetëm, se në ça gjendje do i kishit gjetur.
Më vjen jashtëzakonisht mirë, vërtetë jashtëzakonisht mirë dhe që pashë nga afër këtë realitet që është një realitet model dhe po ashtu më vjen jashtëzakonisht mirë me çfarë dëgjova nga sipërmarrësi holandez këtu për në radhë të parë, punonjëset dhe paralelisht edhe për specialistët, inxhinierët kimistë, për gjithë pjesën që besoj është pjesa juaj këtu ma ha mendja, ju duhet të jeni krahu i ekspertizës sepse foli me superlativa, dhe tha shprehimisht që “as nuk e kishte imagjinuar që në Shqipëri do të gjente burime njerëzore të kësaj cilësie’’ dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që ky realitet nuk është thjesht një realitet i bukur në dukje dhe nuk është thjesht një realitet ku prodhohen produkte të cilësisë së lartë, por është një realitet ku ata që i prodhojnë paguhen denjësisht me një pagë minimale 700 euro, me një pagë mesatare 900 euro dhe prandaj edhe kompania nuk ka probleme të gjetjes së punonjësve, por përkundrazi, sikundër ai na shpjegoi, ka radhë për të hyrë në punë këtu dhe akoma më për të ardhur mirë është fakti që këtu respektohen ditët e pushimit. Kështu që, nënat që janë këtu apo vajzat që janë këtu kanë mundësi që të qëndrojnë më fëmijët, të qëndrojmë me familjen, vajzat të dalin me të dashurit ose nuk e di, në kërkim të të dashurve, të shtunë e të dielë, në vend që të vijnë këtu edhe të shtunë edhe të dielë edhe të harrojnë që ka një jetë jashtë këtyre mureve dhe për këtë arsye ne kemi vendosur që këtë sistem që jo pa arsye me thënë të drejtën, e kemi lënë të ketë këtë mangësi të madhe për kushtet në të cilat është zhvilluar deri tani, këtë sistem do ta imponojmë edhe në kompanitë ku nuk respektohet kjo e drejtë e punonjësve për të pasur ditë pushimi.
Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që ambasadori, po ju falënderoj unë tani sepse e di që shqipja jote është e mirë, por jo aq e mirë sa imja dhe po ju falënderoj që më sollët këtu. Më vjen shumë mirë që ambasadori më përmendi që kjo kompani është këtu dhe është në zhvillim e sipër dhe që është i kënaqur se këta nuk kënaqen kollaj. Po them se të kënaqësh holandezët është e vështirë. Nuk kënaqen kollaj këta. Pyes veten kush është vlerësimi sepse që të kënaqësh holandezët, është e pamundur? Kështu qe më vjen jashtëzakonisht mirë për mundësinë që na u dha këtu për të folur pak minuta me ju.
Nuk do zgjatem më shumë po edhe vetë estetika, edhe drita, edhe energjia e mjedisit është shumë pozitive kështu që jeni realisht në vendin e duhur për të punuar dhe për të mbajtur me punën tuaj familjet tuaja dhe ndërkohë ne do të mbështesim fort në çdo hap kompaninë sepse ka një plan për t’u zhvilluar, për të marrë më shumë punonjës dhe njëkohësisht dhe për të zgjeruar më shumë hapësirat e punës dhe ia vlen vërtetë. Ashtu sikundër Ani e tha, në këto vite kemi përjetuar një transformim të të gjithë këtij territori sepse është rritur shumë kërkesa edhe falë faktit që këtu janë bërë disa ndërhyrje të domosdoshme pa të cilat do ishte e pamundur duke filluar që nga fusha kanceroze e plehrave që ishte një tmerr dhe që sot nuk ekziston më, por përkundrazi është zëvendësuar nga një territor i gjelbër, me infrastrukturën dhe kemi në vijim edhe projekte të tjera për jetësimin edhe më shumë të gjithë kësaj zonë duke patur parasysh që jo larg që këtu është universiteti; do të bëjmë një investim të madh për kampusin për t’i dhënë mundësinë studentëve që të kenë edhe aty edhe rezidencën e tyre për të qëndruar. Do të ndërtojmë portin e ri që do ta thjeshtojë edhe më shumë gjithë tregtinë edhe shumë gjëra të tjera të mira që janë në proces po nuk po ju mbaj më shumë se jam i bindur që nuk ju ka marrë malli për mua. Hap televizorin, unë; hap ato mrrokllat, unë; kujdes kur hapni frigoriferin që të mos ju dal ndonjë ditë aty. Shumë, shumë faleminderit! Dejv, faleminderit shumë!
Jam i lumtur për këtë eksperiencë që na ofrove dhe sërish faleminderit, ambasador. Ishte shumë e sjellshme dhe e vlefshme që na sollët këtu dhe faleminderit ju holandezëve.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Home Lajme Aktualitet Durrës, Mbështetja për sipërmarrjet që investojnë dhe krijojnë zhvillim, rruga drejt një...