Nga Mero Baze
Erion Veliaj është një i burgosur i marrë peng nga prokurorët. Në fillim ata kanë vendosur ta burgosin. Meqë nuk arritën të gjejnë fakte rreth tij, gërmuan në jetën e gruas, vëllait, nënës, vjehrrit, vjehrrës e më tej. Pastaj ndërtuan një roman policor, ku kanë lënë në hije dhe shkrimtarët me fantazi për romane të verdha, për të lidhur histori që nuk lidhen me njëra-tjetrën.
Sidoqoftë, meqë nuk kishte prova mjaftueshëm për ta futur në burg, gjetën një sms nervoze të tij drejtuar një hetuesi të BKH-së, pse i kishte thirrur gruan në telefon një të shtunë, dhe e futën në burg.
Pastaj, kur pritej që të thelloheshin hetimet, ata u thelluan në përgjime dhe konstatuan sjellje të pahijshme në burg, dhe nuk e lejuan të dilte në apel nga burgu, jo për atë që ishte arrestuar, por për mënyrën si ishte sjellë në burg.
Pra, e kanë futur në burg për sjellje të pahijshme dhe sot ndërkohë i kanë komunikuar dhe një akuzë të re, po për sjellje të pahijshme në burg.
Kur gjithë Shqipëria, mbështetësit dhe armiqtë e tij presin të kuptojnë ku është korrupsioni i Erion Veliajt, çdo ditë marrin lajme që ai nuk është në burg për korrupsion, por për sjellje të paedukatë me policët, hetuesit dhe rojet e burgut.
Kjo është përndjekja më e egër që ndonjë udhëheqësi politik i është bërë në Shqipëri pas komunizmit, që tejkalon përndjekjen e Fatos Nanos nga Sali Berisha. Ai vërtet e ruante, e përgjonte dhe e dënonte kot, por nuk e kufizonte të takohej me njerëz familjarë apo drejtues të partisë.
Përtej kësaj, duket se prokurorët po prodhojnë me izolimin e tij dhe skena politike, siç është kjo përfolja e famshme “për përçarje” mes Ramës dhe Veliajt, për shkak të lidershipit të komanduar të Bashkisë.
Për shkak se komunikimi i vetëm i Veliajt me Bashkinë vjen përmes avokatit, dhe i ka shkuar një kërkesë për të zëvendësuar drejtuesen e komanduar, ai e ka marrë të mirëqenë dhe e ka firmosur atë në mirëbesim të informacionit të cunguar që ka nga izolimi i thellë, dhe të nesërmen, kur është sqaruar, ka kërkuar që të rikthehet situata e mëparshme.
Natyrisht që e gjithë kjo ka pasoja proceduriale, por dhe në këtë pikë, prokurorët e tij ja arritën të prodhojnë lajme politike për të, për të zhurmuar në fakt përndjekjen dhe linçimin personal ndaj tij, duke i shtuar akuza të reja për sjellje të pahijshme në burg.
Ideja që ky tani “po bën sherr dhe me Edi Ramën”, natyrisht që u jep atyre lirinë të vazhdojnë masakrimin e tij në qeli, ndihmuar nga kakofonia mediatike dhe ushqimi me gjysmë të vërteta i portaleve nga “burime të mirinformuara”. Dhe ata janë kujdesur gjatë një muaji për këtë gjë.
Sidoqoftë, njerëzit do mbajnë pak mend se si e ka emrin kjo vajza e komanduar dhe si e ka ajo tjetra që do komandohej, pasi praktikisht kryetari i Bashkisë së Tiranës është Edi Rama. Erion Veliaj mund të jetë i qetë që kryeministri i vendit dhe kryetari i partisë së tij i ka vënë gjoksin jo vetëm politikisht, por edhe zyrtarisht punëve të tij mbetur rrugëve. Të tjerat janë muhabete kafenesh.
Ajo që nuk do harrohet është këmbëngulja e dy prokurorëve për të linçuar personalisht dhe familjarisht një të dyshuar, në përpjekje për ta izoluar fizikisht, politikisht dhe në fund edhe për ta ndëshkuar ligjërisht për arsye të tjera nga ato që kanë filluar procedimin penal ndaj tij.
Ky është një rekord historik i antiprofesionalizmit dhe rrëshqitjes në konflikte interesi të njerëzve të drejtësisë me ata të politikës, që më së miri pasqyrohet tek saga e përndjekjes politike të kryebashkiakut të Tiranës.