Edi Rama ka folur për skuadrën që do shkojë në zgjedhjet e 11 majit, e që sipas tij do të jetë një bashkim i eksperiencës dhe energjisë së re. Rama tha se në listë të hapur do të jetë ata që kanë eksperiencë, për të mbledhur vota për vete dhe për PS, e ndërsa në listat e mbyllura do të jenë emra që futen për herë të parë në Kuvend.

“Skuadër perfekte nuk ka, por një skuadër shumë të mirë do ta keni, skuadër të ripërtërirë, do harmonizohet eksperienca me energjinë e të rinjve, një skuadër që do garantojë vazhdimësinë e procesit të BE, që do të ketë dijen e nevojshme të brendshme se për çfarë bëhet fjalë, dhe që do garantojë një përfaqësim të lidhur me egzigjencat e lidhur me kohën. Do jetë skuadra me e vjetër në eksperiencë dhe me e reja në energji”, tha Rama.

“Dje bëmë të qartë vijën parimore të ndarjes së detyrave, kush ka qoftë dhe një mandat do jetë në fushëbetejë për të marrë vota për veten dhe PS, burrat nuk diskutohen, por dhe për gratë dhe vajzat nuk përjashtohen. Në listën e mbyllur do të jenë njerëz që hyjnë për herë të parë në parlament, që vijnë nga kontribute të caktuara në shoqëri, etj”, shtoi më tej.