Erion Braçe ka reaguar në rrjetet sociale, për 17-vjetorin e Gërdecit.

Postimi i Erion Braçes

“Kjo është zhurma e korrupsionit; Ky-pak sekonda me pas-është shpërthimi i korrupsionit; Vendi i krimit: Gërdec, Tiranë Data, muaji, viti i krimit: 15 mars 2008

Pasoja e krimit: 26 burra e gra, djem e vajza, fëmijë të mitur, foshnjë në bark të nënave, pjekur të gjallë! Ky është korrupsioni dhe ky është gjaku i korrupsionit! Po tallja cila është?

Asnjë përgjegjës politik i shpallur fajtor dhe i dënuar, asnjë! Secili prej përgjegjësve politikë është gjallë, në aktivitet të plotë politik, madje në lista të deputetëve e deputete 100% të sigurt edhe një herë!

Ndërkohë ka edhe më: Të gjithë heshtin! Të gjithë i kanë shokë përgjegjësit politikë të pjekjes të gjallë të 26 shqiptarëve- rrinë me ta, këmbejnë muhabete shqiptarësh me ta, ju qajnë hallin, i kanë partnerë aktivitetesh, qeshin me ta, hanë e pinë me ta!

Një akuzë e gjyq qesharak nuk përfundojnë kurrë; E dini pse? Sepse akuza e ngritur dhe gjyqi për të nga drejtësia e re, kërkon veç të mbyllë çështjen- një dënim banal, për një aty dhe kaq; asgjë në themel të krimit, asgjë në themel të korrupsionit; ka frikë të prekë përgjegjësit real të korrupsionit të përgjakshëm- i vetmi i tillë në historinë e këtij vendi! I vetmi!“.