Në fund të fundit, belgët kanë gjetur fjalën e duhur. “Nëse nuk je në tryezë, je në menu,” ishte deklarata e kryeministrit belg Bart De Wever.

Kur bëhet fjalë për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë, Donald Trump tashmë ka filluar ta copëtojë Ukrainën si në një darkë me Vladimir Putinin, dhe nuk ka asnjë shenjë që nuk do të vijojë me Bashkimin Evropian për ëmbëlsirë në fund.

Të enjten, liderët e BE-së hodhën hapat e parë për të prishur këtë “banket” të autokratëve përpara se të jetë tepër vonë.

Të 27 liderët e BE-së ranë dakord të bëjnë pikërisht atë që Trump ka kërkuar prej vitesh: të rrisin ndjeshëm investimet e tyre në mbrojtje — një shumë që mund të arrijë deri në 800 miliardë euro — në mënyrë që më në fund të kujdesen për veten pa pasur nevojë të “parazitojnë” (ose të mbështeten) tek ndihma e Amerikës.

Me një përjashtim të parashikueshëm, Hungarinë e Viktor Orbánit, ata premtuan të bëhen akoma më bujarë për t’i dërguar Ukrainës armë dhe para me urgjencë, ndërkohë që SHBA-ja po ndërpret furnizimet ushtarake dhe po ndalon ndarjen e inteligjencës me Kievin.

Por nga Shtëpia e Bardhë, Trump vuri në dyshim gjithsesi premtimin qendror të NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë të anëtarëve të saj. “Nëse nuk paguajnë, unë nuk do t’i mbroj,” deklaroi ai.

BE-ja kërkon të forcojë mbrojtjen

Në dy javët e ardhshme, zyrtarët në Bruksel do të punojnë me urgjencë për të detajuar planin e tyre. Nëse zbatohet, ai do t’i lejojë qeveritë e BE-së të ndryshojnë rregullat e shpenzimeve për të investuar në të gjitha llojet e kapaciteteve ushtarake — nga raketat dhe municionet deri te dronët, lufta elektronike dhe mbrojtja ajrore.

Liderët (përsëri, përveç Orbánit) gjithashtu kërkuan që Komisioni Evropian të përshpejtojë fondet e premtuara për nevojat e menjëhershme të Ukrainës për luftën.

Një tjetër samit do të mbahet më 20-21 mars, kur këto çështje do të diskutohen sërish me synimin për të arritur veprime më konkrete.

Parandalimi i Luftës së Tretë Botërore

Po të kemi parasysh standartet e BE-së, ky është një ritëm i shpejtë, insistojnë zyrtarët. Vetëm një muaj më parë, në një samit joformal, ata po diskutonin për të hartuar një plan për rritjen e mbrojtjes deri në qershor.

BE-ja po përjeton një transformim historik — nga një projekt paqeje që lindi nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, në një aleancë mbrojtëse që po forcohet për të parandaluar një të tretë.

Por realiteti mbetet se, pavarësisht përpjekjeve të BE-së — dhe hapat e ndërmarrë këto ditë nuk janë të parëndësishëm — bisedat e vërteta për Ukrainën dhe të ardhmen e sigurisë evropiane po zhvillohen diku tjetër.

Me tone gati lutëse, liderët evropianë përfshinë në deklaratën përfundimtare të samitit disa “parime” për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Aty ripërsëritën klishetë se “nuk mund të ketë negociata për Ukrainën pa Ukrainën” dhe, disi më dëshpërimisht, se “nuk mund të ketë negociata që prekin sigurinë evropiane pa përfshirjen e Evropës”.

Për të shmangur çdo dyshim, ata shtuan: “Siguria e Ukrainës, Evropës, Atlantikut dhe botës janë të ndërthurura.” Provoje t’ia thuash këtë Trump-it.

Trump injoron Evropën, por hap një kanal me Ukrainën

Për t’i bërë të qarta shqetësimet e BE-së, kryediplomatja e saj Kaja Kallas udhëtoi javën e kaluar në Uashington për të shprehur shqetësimet e Evropës. Por Sekretari i Shtetit i Trump-it, Marco Rubio, refuzoi të takohej me të, një shuplakë e fortë dhe aspak e izoluar nga sjellja e administratës së re amerikane.

Vetë Trump ka qenë i qartë për përbuzjen e tij ndaj BE-së dhe deri tani as që e ka marrë mundimin të zhvillojë një diskutim të detajuar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Në një lajm më pozitiv, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, u tha liderëve të BE-së gjatë një dreke se ekipi i tij kishte rifilluar bisedimet me zyrtarët e Trump-it.

Më vonë, u shfaqën shenja të tjera të një zbutjeje të tensioneve mes Trump-it dhe Ukrainës pas sulmit verbal të javës së kaluar nga zyra ovale. Zelenskyy tha se do të udhëtonte në Arabinë Saudite për bisedime mbi një plan paqeje ku do të përfshihej edhe SHBA-ja.

Trump konfirmoi gjithashtu se ai vetë do të udhëtojë në Arabinë Saudite, duke vërejtur se beson që Ukraina tani dëshiron një marrëveshje, por pa konfirmuar nëse do të kërkojë të finalizojë një të tillë javën e ardhshme.

Por një gjë duket e qartë: nuk ka asnjë gjasë që BE-ja të ftohet në këtë tryezë.

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Presidenti francez Emmanuel Macron duket se do të vazhdojnë të udhëheqin përpjekjet për të dërguar trupa në Ukrainë për të ruajtur paqen, pavarësisht një reference të vagullt në përfundimet e samitit të BE-së për të eksploruar nëse strukturat e mbrojtjes së bllokut mund të kenë një rol.

Starmer do të jetë mes aleatëve jo-anëtarë të BE-së që do të marrin një përmbledhje të diskutimeve të samitit nga von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, në një video-telefonatë të premten në mëngjes.

Zyrtarët e Starmer-it pretendojnë se rreth 20 vende janë gati t’i bashkohen misionit evropian të paqeruajtjes në një formë ose një tjetër.

Kallas, përfaqësuesja më e lartë diplomatike e BE-së, e pranoi këtë realitet të ri ad-hoc të enjten kur tha se mbështetja për Ukrainën do të vijë nga një “koalicion i të gatshmëve”, madje edhe përreth tryezës formale të samitit në Bruksel (siç e dëshmoi edhe një herë Hungaria).

Por siç mund ta dëshmojë vetë Kallas pas refuzimit të Rubio-s për ta takuar, pyetja më e madhe mbetet nëse Trump është i gatshëm të ndihmojë Evropën apo e ka braktisur fare aleancën.

Politico