Në kuadër të organizimit të finaleve të Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohet në Shqipëri gjatë muajit maj, Federata e Futbollit ka përzgjedhur dy ambasadorët e këtij turneu madhor.
Klaus Gjasula dhe Valbona Selimllari janë dy personalitetet e përzgjedhura nga FSHF, që do të përfaqësojnë dhe promovojnë këtë event të rëndësishëm, duke sjellë më pranë tifozët dhe duke ndihmuar në krijimin e një atmosfere unike rreth turneut.
Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula do të ndihmojë në promovimin e turneut dhe në motivimin e të rinjve shqiptarë, që duan të ndjekin rrugën e futbollit. Me eksperiencën e tij në futboll, Gjasula do të përcjellë mesazhin e punës së palodhur dhe përkushtimit për të arritur suksesin.
Valbona Selimllari, një figurë e njohur dhe e dashur për publikun, do të ndihmojë në përhapjen e mesazhit të këtij turneu përtej futbollit. Ajo do të angazhohet për ta bërë këtë event sa më të njohur dhe për të afruar sa më shumë shqiptarë me eventin.
Të dy ambasadorët do të jenë pjesë e aktiviteteve promovuese të organizuara nga FSHF, duke ndihmuar në krijimin e një atmosfere fantastike për kampionatin europian të kësaj moshe.