Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, takim me gratë socialiste të Sarandës, Delvinës, Finiqit e Konispolit

“Vota juaj për Partinë Socialiste, do ta çojë përpara zhvillimin e Sarandës dhe të krahinave të saj”.

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, zhvilloi takim me gratë socialiste të Sarandës, Delvinës, Finiqit e Konispolit. Gjiknuri i cilësoi gratë si forcë e rëndësishme për PS, forcë që çon përpara zhvillimin e shoqërisë dhe familjes.

“Ndihem i emocionuar që në këto zgjedhje mu dha mundësia të rikandidoj në Qarkun e Vlorës, pas një shkëputjeje për shkak të angazhimeve dhe detyrave të tjera politike. Ndihem i emocionuar dhe i nderuar, mes ju vajzave dhe grave, me të cilat kemi përballuar dhe kemi bërë shumë beteja politike që më kanë lënë mbresa. Ju shpreh falenderime dhe mirënjohje për gjithë kontributin që keni dhënë ndër vite, të cilin unë nuk e harroj. Ne përpara kemi një fushatë zgjedhore.
Damian Gjiknuri do të jetë ai që ka qenë gjithmonë. Që kur erdha në Sarandë, e filluam punën së bashku dhe ditëm ta ngremë Sarandën dhe rezultatet e saj në nivele që pak i mendonin. Kjo, mbi të gjitha, është bërë dhe bëhet me forcën tuaj. Gratë, shpesh, janë më të vërteta se burrat, janë ato që e mbajnë edhe fjalën edhe familjen. Ju jeni shpresa e vërtetë e kësaj force politike por edhe e rezultatit elektoral që jam i bindur se, do ta marrim shumë mirë.
Janë bërë shumë investime në Sarandë, pasi qeveria i ka kushtuar shumë vëmendje Sarandës. Me votën tuaj, ju, do të më jepni mua por dhe gjithë ekipit politik të Partisë Socialiste, forcën për të bërë më të mirën e mundshme në Sarandë dhe kudo. Të bëjmë maksimumin në këto zgjedhje. Të japim rezultatin e duhur që Saranda dhe gjithë krahina të marrë atë që gjithmonë e meriton, si qyteti që është mbretëresha e turizmit në Shqipëri. Gratë e Sarandës, Delvinës, Finiqit e Konispolit, do të jenë pararojë e kësaj gjëje, duke mbështetur përmes votës, Edi Ramën, Partinë Socialiste dhe kandidaturën time në zgjedhjet e 11 Majit”, pohoi kandidati Damian Gjiknuri.