Një aktivitet i veçantë është organizuar në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave. Me tematikën “8 Mars – Gratë që ndërtojnë Paqe – Diplomaci, Fuqi, Angazhim”, ky aktivitet mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, partnerë ndërkombëtarë dhe staf të MEPJ. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani vlerësoi rolin dhe kontributin e grave në diplomaci, një fushë që ka parë transformime të rëndësishme dhe të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit.

“Gratë shqiptare janë pjesë e pandashme e diplomacisë dhe kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke hapur mundësi të reja për zhvillim dhe paqe. Ky ndryshim i rëndësishëm është rrjedhojë e përpjekjeve të vazhdueshme për të krijuar një shoqëri dhe një diplomaci më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse” – u shpreh ai.

Ministri Hasani ndau para të pranishmëve edhe disa shifra pozitive në lidhje me numrin e grave që janë pjesë e stafit diplomatik shqiptar, fakte që sipas tij përbëjnë arritje të jashtëzakonshme dhe janë dëshmi e transformimeve të mëdha që po ndodhin në Shqipëri.

“Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, gratë përbëjnë sot 59% të stafit diplomatik shqiptar, me gjithsej 300 prej tyre që punojnë në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë”.

Sipas tij, roli i grave në diplomaci ka një ndikim të rëndësishëm në politikën e paqes dhe të sigurisë.

“Kur gratë janë të përfshira në proceset e paqes, marrëveshjet kanë më shumë mundësi të zgjasin dhe të jenë të qëndrueshme. Pra, ata nuk janë vetëm pjesë e zgjidhjes, por janë gjithashtu katalizatorët që kontribuojnë në arritjen e këtyre marrëveshjeve”, nënvizoi Hasani duke theksuar gjithashtu se do të vazhdohet pa ndërprerje mbështetja dhe promovimi i mundësive të barabarta për gratë në të gjitha fushat, përfshirë diplomacinë.