Kryeministri Edi Rama në podkastin e tij të radhës “Flasim” kishte të ftuar 3 të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Vlorë.

Të rinjtë e degës së FRPD-së së Vlorës, të cilët braktisën PD-në për tiu bashkuar Partisë Socialiste dhe kandidates Zamira Sina treguan pse vendosën t’i bashkohen Partisë Socialiste. Përballë PD-së dhe lidershipit të saj Sali Berisha, i cili nuk jep shpresë sytë i kanë tek PS si e vetmja forcë që mund të çojë para Shqipërinë por kërkojnë t’i jepet fund ‘persekutimit politik’

Gjatë bisedës me të rinjtë, Rama u shpreh se “puna e tradhtarëve e të shiturve është histori banale në vendin tonë”, referuar largimit të tyre nga FRPD-ja.

Kreu i qeverisë iu drejtua duke u thënë që “është karakteristikë e partisë suaj ‘o qëndrestar dhe hero kur je me mua, o tradhtar dhe i shitur kur më del përballë’, është banal”.

“Kjo puna e tradhtarëve, të shiturve, të blerëve është një histori shumë banale në vendin tonë.Dhe me thënë të drejtën është karakteristikë e partisë suaj kjo.

Unë besoj se është karakteristikë e partisë suaj për shkak të mendësisë së partisë së madhe të asaj tjetrës, që vazhdon tek partia juaj, nëpërmjet e dini ju se kujt sepse nuk dua t’iu fus nëpër situata provokative që ‘o qëndrestar dhe hero kur je me mua, o tradhtar dhe i shitur kur më del përballë”, është banale, por s’keni çfarë bëni do ta hiqni”, tha Rama.

Kryetarja e FRPD-së Sara Bobo tregoi pse vendosi t’i bashkohej PS-së pasi u shkëput nga PD për shkak të Sali Berishës

“Kam kohë që jam shkëputur nga PD për shkak të lidershipit të saj. Erdhën me premtime të tjera e vijojnë duke mos respektuar premtimet që kanë bërë. Qëndruam për një PD më të mirë, por nuk e pamë e u tërhoqëm. Ne jemi për të shkuar në Europë dhe në politikë kanë mbetur figura që nuk mbaj mend” tregoi Sara.