Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi të hënën për një “përgjigje të fortë” nga Irani nëse vendi sulmohej, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump në rast të dështimit të diplomacisë për çështjen bërthamore.

“Kërcënojnë të shkaktojnë dëme (…), nëse është kështu, patjetër do të ketë një përgjigje të fortë nga Irani”, deklaroi Ali Khamenei gjatë një fjalimi në Teheran me rastin e fundit të Ramazanit, muajit të agjërimit për myslimanët.

Ai nuk përmendi qartë Donald Trump, por fjalimi i tij dukej se ishte një përgjigje ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan në ditët e fundit.

Trump siguroi në një intervistë për NBC News të botuar të dielën se “do të ketë bombardime” në Iran në mungesë të një marrëveshjeje bërthamore iraniane.

“Nëse ata nuk nënshkruajnë një marrëveshje, do të ketë bombardime”, këmbënguli ai.

Vendet perëndimore kanë dyshuar për dekada të tëra se Teherani dëshiron të marrë armë bërthamore.

Irani i hedh poshtë këto akuza dhe thotë se programi i tij ekziston vetëm për qëllime civile, duke përfshirë energjinë.

Në vitin 2015, vendi përfundoi një marrëveshje me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar) dhe Gjermania për të rregulluar aktivitetet e saj bërthamore.

Por në vitin 2018, Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet amerikane.

Që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, ai tani thotë se është i hapur për dialog me Teheran-in dhe i shkroi një letër liderëve iranianë për këtë qëllim.

Irani tha të enjten se i ishte përgjigjur kësaj letre përmes Sulltanatit të Oman-it.

Donald Trump ka forcuar në të njëjtën kohë politikën e tij të ashtuquajtur “presion maksimal” kundër Teheran-it: sanksione shtesë për të reduktuar eksportet e naftës dhe burimet e tij të të ardhurave në zero dhe kërcënim për veprime ushtarake në rast të refuzimit të bisedimeve.

Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu Iranin kundër mbështetjes së tij për rebelët Houthi në Yemen, kundër të cilëve Washington-i ka kryer sulme në javët e fundit.