Shqipëria humbi 2-0 përballë Anglisë në “Wembley” duke nisur me humbje rrugëtimin për Kupën e Botës 2026.

Armando Broja, i cili luajti 30 minuta të kësaj sfide në pjesën e dytë, duke i dhënë një tjetër ritëm lojës së kuqezinjve, në deklaratën pas ndeshjes u shpreh i keqardhur për rezultatin, duke thënë se golat mund të ishin evituar.

“E dinim që do të ishte e vështirë. Anglia është një nivel shumë i madh, me Francën, Belgjikën, Holandën, Spanjën. E dimë që kanë kualitet, por gjithçka është e mundur. Kemi pasur shanse për të bërë gola, por Anglia ka kualitet. Edhe kur lodhet ndonjë lojtar, mund të futet një tjetër shumë i mirë. Ekipi luajti mirë, kemi pasur mundësi për të mos pësuar ato dy gola, nuk ishin gola të bukur ose të rrezikshëm. Njëri ishe pasim pas shpinës dhe tjetri krosim në shtyllën e dytë”, tha Broja.

Ai e pranoi që është i lumtur për rikthimin me ngjyrat kuqezi, duke thënë: “Më ka munguar Kombëtarja, është shtëpia ime, zemra ime. Uroj të vazhdoj 100%”.

Sa i përket formës së tij fizike, që duhet thënë se nuk është më e mira, pasi vetëm një javë më parë u rikthye pas një dëmtimi të pësuar me Evertonin në janar, Broja tha se shpreson që makthi i dëmtimeve të ketë marrë fund për të.

“Sapo jam kthyer nga dëmtimi, u ktheva prap. Ka qenë i vështirë për mua ky vit, jam i fokusuar tek vetja, tek trupi. S’dua të dëmtohem prap, më ka pëlqyer shumë si më shkoi trupi dhe loja. Kam pasur shanse dhe unë. Një ditë tjetër mund t’i shfrytëzojmë ato shanse që kemi pasur. Janë këto gjëra të vogla që mund të bëjmë. Kombëtarja më ka munguar shumë. Më pëlqen shumë të luaj për Kombëtaren. Tifozët sot ishin të mrekullueshëm, na kanë dhënë kurajo ishin shumë mirë. Jam i kënaqur që u ktheva me ekipin dhe çunat”, u shpreh bomberi kuqezi.