Përplasja publike në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, zëvendësit të tij, JD Vance dhe kreut të shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i shokoi aleatët, duke u kthyer në një dëshmi të qartë të transformimit të shpejtë që po pëson politika amerikane.

Në këtë situatë, u ngritën pyetje nëse edhe Kosova rrezikon të përballet me një fat të ngjashëm në mosmarrëveshjen e saj me Serbinë? Disa analistë thonë jo, por, në të njëjtën kohë, sugjerojnë që Prishtina të bëhet “më e dëgjueshme”. Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Alon Ben-Meir, i tha REL-së se ka disa arsye që shtyjnë të mendohet se administrata Trump mund të jetë e prirur të favorizojë Serbinë – qoftë për shkak të lidhjeve më të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçic, interesave biznesore që ka dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, në Serbi, apo ndikimit që ka emisari i tij për misione të posaçme, Richard Grenell, me kritikat e vazhdueshme që i bën Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Por, kjo nuk do të thotë se Trump do ta braktisë Kosovën”, theksoi ai, – sepse president ii SHBA-së e mirë se për të ruajtur stabilitetin në Ballkan, duhet të vendosë një lloj ekuilibri”. “Dhe, në rastin konkret, edhe BE-ja është e përfshirë direkt. Ajo ka trupa në Kosovë dhe ai nuk mund ta anashkalojë për këtë çështje”, nënvizon profesori amerikan. Megjithatë “Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione, mund të mos e ndihmojnë Kosovën ekonomikisht, mund t’i bëjnë presion BE-së që të mos e avancojë integrimin e Kosovës në komunitetin e saj”.

“Pra, Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë presion të konsiderueshëm, nëse duan. Kjo është arsyeja përse mendoj se nuk mund ta injoroni atë që do SHBA-ja”, shton Ben-Meir dhe këshillon që Kosova të tregojë fleksibilitet, pa e kompromentuar pavarësinë e saj. Richard Caplan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, thotë se Kosova ka qenë historikisht nën presion nga palët e jashtme, por e ka pasur vend në tryezë. Caplan kujton se Trump është vetëm në muajin e dytë të mandatit dhe se politika e tij e jashtme është ende duke marrë formë.
Por, paralajmëron se sjellja e tij me Ukrainën duhet të shërbejë si sinjal për qasjen ndaj konflikteve të tjera të pazgjidhura, dhe liderët të ruajnë vigjilencën.