Sali Berisha ka marrë goditjen e parë të saltros me primaret në Kavajë.

Pasi la jashtë listave më të votuarin e qarkut, dhe futi në vend të tij djalin e xhaxhait të ish-kryebashkiakut socialist, Elvis Rroshi, drejtuesi politik i Kavajës, Fisnik Qosja iu përgjigj ftesës së kryeministrit Rama dhe mori pjesë në një takim me turoperatorët në Vlorë.

Ramës nuk i shpëtoi prezenca e tij në takim dhe e thumboi.

“Kavaja, kemi patur ca problem me primaret aty. Është kryebashkiaku këtu, e përshëndes. E shoh që je turbulluar nga primaret. Po po, me dy gishta sigurisht. Por themi ta bëjmë edhe Kavajën pjesë të këtij zhvillimi”.

7 javë para zgjedhjeve, Berisha po merr mesazhin e qartë nga bastioni i djathtë, Kavaja, Bashkia e së cilës drejtohet nga demokratët, por në zgjedhjet e 11 majit s’do të kenë përfaqësues të tyre për ta votuar.
Kjo është hera e parë që Qosja del nga rreshti i Berishës dhe i përgjigjet ftesave të Ramës. Si kryebashkiak ai ka marrë pjesë dhe në takime të tjera.

Ndërsa në takimin me turoperatorët, kryeministri pati një bashkëbisedim dhe kritika për informalitetin e hotelierëve.

Ai i paralajmëroi se do u ccojë inspektorët te dera, ndërsa në 2026 do i japë fund me platformë dixhitale.

“Bëni hile të madhe me deklarimin e netëve të fjetëve. Po ju japim mundësinë e paradeklarimit, nëse nuk doni kontrolle deri në maj, do të paguani detyrimin tek bashkia. Përgatituni, në 2026 s’keni nga lëvizni se do fusim platformën e-visitors”

Kryeministri tha se së shpejti edhe policia do të minimizohet gjatë sezonit turistik, për tu zëvendësuar me kamera inteligjente. Por masat do të jenë më të rrepta.