Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kandidatët e qarkut të Durrësit për Partinë Socialiste, në zgjedhjet e 11 majit. Të pranishëm në takim ishin kandidatët për 3 bashkitë e qarkut, ndërsa Rama mbajti edhe fjalën para të pranishmëve, ku shpalosi dhe programin. Rama foli sërish për integrimin në Bashkimin Evropian. Ai tha se kjo është një çështje ekzistenciale për Shqipërinë.

“Ajo që ka ndodhur dhe që ju e dini është në BE Shqipëria dhe Mali i Zi, kjo për arsye gjeopolitike por në kushtet e sotme, për ne bëhet një çështje ekzistenciale e sigurisë dhe mbrojtjes së Shqipërisë ndërkohë që raportet e tjera siç e shikoni po lëvizin dhe ndryshojnë mes vendeve të tjera. Ka shumë njerëz që thonë se ky është muhabet kot se doni mandatin tjetër dhe krijoni lloj lloj alibish.

Ju duhet thënë që Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012, ne i kemi hapur zyrtarisht vetëm vjet pasi bëmë 1 vit procesin e screening dhe të diagnostikimit të të gjithë organizmit të shtetit për të gjithë problematikat. Sot ne jemi krah për krah me Malin e Zi, dy vendet që ata i shohin si më të mundshmet për t’u futur në BE.

Serbia i ka filluar në 2014, dhe sot është mbrapa nesh. Kur kemi marrë ne detyrën ishim vrima e fundit e kavallit. Maqedonia është bërë kandidate për të hyrë në BE në 2005 dhe akoma s’i ka hapur. Këto të dhëna janë për të treguar njerëzve që kjo nuk është çështje muhabet”, tha Rama.