Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e një mashtrimi nga dy komedianë rusë.
Të mërkurën është publikuar video e Kurtit, ku komedianët u prezantuan si presidenti i Letonisë. Kryeministri i Kosovës zhvilloi një bisedë në gjuhën angleze me ta, duke menduar se po bisedonte me presidentin letonez. Në këtë video Kurti flet për “luftën hibride” ndaj tij, Serbinë e po ashtu edhe për çështje të tjera.

Kurti flet edhe për Richard Grenell ku thotë se ai ka punuar kundër tij.

“Ai ka qenë edhe instrument në rrëzimin e Qeverisë sime herën e kaluar. Nuk është mirë që të marrësh një të tillë nga një shtet autoritar dhe të pretendosh se je neutral”, thotë ai.

Pasditen e sotme, Zyra e Kryeministrit e ka pranuar se ai ka rënë pre e mashtrimit, duke thënë që se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt.

“Ky incident fatkeq riforcon atë që e kemi ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar me Kosovën dhe vazhdon ta shënjestrojë shtetin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç është dokumentuar nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ”, sqarohet nga ZKM.

Më tutje thuhet se edhe në këtë bisedë riafirmohen qëndrimet e Kurtit.

“Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private”, bën të ditur Zyra e Kryeministrit.