Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Abu Dhabi po zhvillohet samiti i “Forbes 2025”.
Revista e njohura amerikane ‘Forbes’, mes të tjerash ka njoftuar nëpërmjet platformës së saj në rrjetin social X, edhe pjesëmarrjen e bashkëshortes së kryeministrit shqiptar, Linda Rama.
Të ftuar në samit mësohet se janë edhe personalitete të politikes, artit, shoqërisë civile, biznesit nga të paktën 50 vende të botës.
Ekonomiste dhe avokate për të drejtat, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, bisedoi me Mika Brzezinski, mbi temën “Fuqia pas Progresit” në samitin e ‘Forbes30/50’, shkruan revista.
Pasi ka shpjeguar situatën në kohën e komunizmit, Linda Rama ka theksuar që problemi më i madh që trashëgoi komunizmi nuk ishte varfëria, por traumat sociale.
“Pas kaosit dhe pasigurisë të vitit 1991 nga rënia e sistemit, mësimet më të mëdha i nxorëm nga pësimet dhe të mësosh nga pësimet është e dhimbshme dhe e kushtueshme”, u shpreh ajo.
“Të mësojmë fëmijët të vlerësojnë të drejtat dhe t’i mbrojnë ato”, tha Linda Rama, duke sjellë në vëmendje se e përditshmja ‘nuk duhet të na shpërqendrojë përpjekjet për avancimin e të drejtave në kohën e revolucionit teknologjik e digjital’.
“Në tranzicionin tonë nuk kemi qenë vetëm, bota demokratike ka qenë dhe është me ne. Shqiptarët dhe Shqipëria ja kanë dalë sot të ulen në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë. Vizitoni Shqipërinë. Nëse vini një herë, e dimë që do të na vizitoni përsëri”, tha Linda Rama, duke e mbyllur fjalën e saj me ftesën për të vizituar Shqipërinë.
Mika Brzezinski, është bërë e njohur si korrespondente terreni në ngjarjen e sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001. Aktualisht është drejtuese e programit “Morning Joe”, në kanalin televiziv amerikan MSNBC.