Kryeministri Edi Rama ironizoi ditën e sotme listën e kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe koalicionit të tij opozitar me 26 parti, për zgjedhjet e 26 majit.
Kreu i mazhorancës postoi përsëri një video me bufë kënete, të shoqëruar me një deklaratë politike të drejtuesit të selisë blu, që ka përfshirë në lista besnikët dhe klanin e tij, duke lënë shumë emra të njohur jashtë.

Me postimin në Facebook Rama ka vendosur pjesën ku Berisha teksa flet për koalicionin madhështor, i merret goja duke u përpjekur të justifikojë “qindra mijëra votat” e këtyre partive të marra së bashku, për të bindur elektoratin e PD-së se pse duhej kjo aleancë. Ndryshe nga herët e tjera, kryeministri ka vendosur 3 bufa në videon ilustruese.

Pjesa e videos:

“Demokratët dhe demokratet, mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti, pavarësisht se të marra veças janë parti… me mo… modeste, në… po… në, në votat e tyre…, por të marra së bashku kanë një elektorat prej qindra mijëra votash. Dhe u them se kjo është një fitore e vërtetë e koalicionit, e aleancës për Shqipërinë Madhështore”.