Qeveria italiane publikon në Fletoren Zyrtare marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë. I hapet rruga zbatimit të saj në pak javë, pas firmosjes më 6 shkurt 2024 në Romë.
Marrëveshja garanton të drejtat për pensionet e shqiptarëve në Itali dhe italianëve në Shqipëri, nga e cila përfitojnë rreth gjysmë milioni shqiptarë dhe 4 mijë italianë. Shqipëria do kryejë shërbime për italianët dhe anasjelltas, pa kosto ekstra. Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe lejen e lindjes, si dhe sigurimin e papunësisë.
Më herët, Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, miratuan amendamentin për alokimin e fondeve në kuadër të zbatimit të marrëveshjes. Për vitin 2025 u miratua një fond prej 12 milionë eurosh; 13.6 milionë euro për vitin 2026; 13.1 milionë euro për vitin 2027; 15.1 milionë euro për vitin 2028; 17 milionë euro për vitin 2029; 19.3 milionë euro për vitin 2030; 21.3 milionë euro për vitin 2031; 23.4 milionë euro në vit për të gjitha vitet e mëpasshme duke filluar nga viti 2032.
Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë. Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën. Me Greqinë vijon debati teknik, pasi është një proces i gjatë, edhe i vështirë. Me Letoninë negociatat nisin në prill. Në proces janë negociatat edhe me Slloveninë e Moldavinë. Me Izraelin është rënë dakord, po rakordohen agjendat që e çon numrin në rreth 27-28 marrëveshje.