Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani mori pjesë sot në “Konferencën mbi Zgjerimin e BE-së dhe Transformimin Shoqëror në Ballkanin Perëndimor: Shoqëria Civile dhe Angazhimi i Rinisë për Qëndrueshmëri Demokratike”, që u mbajt në Kolegjin e Evropës.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast mbi potencialin transformues të zgjerimit të BE-së në një kontekst të ri gjeopolitik, Ministri Hasani e vuri theksin te rëndësia parësore që BE-ja duhet t’i kushtojë pranimit të anëtarëve të rinj dhe ndërtimit të partneriteteve të forta e të qëndrueshme:
“Kjo politikë strategjike e zgjerimit e BE-së mbetet instrumenti më i mirë gjeopolitik në adresimin e kërcënimeve të sigurisë, paqartësive dhe sfidave ndaj paqes e stabilitetit. Ky diskutim është më aktual se kurrë sot në një mjedis ndërkombëtar ku mbizotërojnë tensione dhe konkurrencë gjeopolitike gjithnjë e më shumë në rritje”.
Ministri Hasani nënvizoi se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për sigurinë e kontinentit evropian.
“Gjatë dy dekadave të fundit, argumenti ynë kryesor për integrimin në BE ka qenë të kthejmë Ballkanin Perëndimor nga “fuçi baruti” të Evropës në një ofrues sigurie. Pavarësisht progresit të ngadaltë të procesit të anëtarësimit në BE, rajoni ka bërë hapa të rëndësishëm përpara. Pjesa më e madhe prej nesh, janë anëtarë të NATO-s; bashkëpunimi rajonal ka nxitur pajtimin dhe sigurinë, duke u bërë një iniciativë e popullarizuar mes qytetarëve tanë, me katër nga pesë persona që besojnë se rajoni duhet të punojë së bashku për të luftuar sfidat.” – u shpreh z. Hasani.
Për sa i përket Shqipërisë, ai cilësoi se vendi ynë në veçanti e ka orientuar në mënyrë të pandalshme veten drejt integrimit Euro-Atlantik.
“Pozita jonë strategjike në Ballkanin Perëndimor na bën një partner të vlefshëm për BE-në, veçanërisht për trajtimin e sfidave rajonale si migrimi, siguria dhe stabiliteti gjeopolitik. Integrimi më i ngushtë me BE-në do të forcojë edhe më tej bashkëpunimin tonë në këto fusha, duke avancuar interesat tona të përbashkëta”.
Ndërkohë, z. Hasani në fjalën e tij vlerësoi se procesi i zgjerimit të BE-së u ofron shteteve si Shqipëria jo vetëm një rrugë për integrimin politik dhe ekonomik, por edhe për konsolidimin demokratik dhe transformimin shoqëror, ndërsa theksoi angazhimin e palëkundur të vendit tonë në rrugëtimin e tij evropian:
“Ne mbetemi të angazhuar për të mbajtur ritmin e vitit 2024: hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda vitit 2025 dhe për të bërë çdo përpjekje në përfundimin e negociatave brenda vitit 2027. Zgjerimi është jetik për Shqipërinë, shoqërinë e saj dhe të ardhmen e saj. Për ne, është plani i vetëm për të tashmen dhe të ardhmen. Çdo përpjekje dhe gjithë energjia jonë do të investohen për ta bërë atë një sukses për Shqipërinë dhe për atë që do të thotë për Bashkimin Evropian.” – u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Igli Hasani.