Ministret e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës firmosën në Tiranë urdhrin e përbashkët që miraton tekstin mësimor të nivelit të tretë, duke finalizuar të gjitha nivelet e teksteve për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë
Tiranë, 18 Mars – Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, kanë nënshkruar urdhrin për miratimin e nivelit III të tekstit mësimor për diasporën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, i cili synon të përfshijë grupmoshat e klasave 7-9. Ky hap vijon punën e nisur me miratimin e dy niveleve të para të këtij teksti për grupmoshat e klasave 1-3 dhe 4-6, duke konsoliduar më tej mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
“Sapo kemi miratuar një vendim të përbashkët për nivelin III të tekstit plotësues për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Këto tekste janë baza për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare për fëmijët në diasporë. Pasi kemi përfunduar dhe tashmë janë në duart e nxënësve tekstet plotësuese Niveli I dhe Niveli II, vjen edhe Niveli III për klasat 6 deri në të 9-ën, duke përmbyllur kështu ciklin e arsimit fillor me abetaren dhe më tej dhe të arsimit të mesëm të ulët, pra deri në klasën e 9-të. Për ne ky është një tjetër hap drejt mësimit të standardizuar të gjuhës shqipe përmes këtyre teksteve, të cilat janë të unifikuara, të standardizuara. Tekste të cilat vijnë të mbështetura nga ekspertiza e të dyja palëve dhe unë vërtet dua që të falënderoj të dy grupet e punës, që në fakt janë një grup pune dhe që kanë pasur për detyrë të përfundojnë këtë proces kaq të rëndësishëm të finalizimit të teksteve të përbashkëta të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, me të cilët mësojnë fëmijët në diasporë dhe gjithashtu mësuesit i kanë si udhërrëfyes pikërisht për të arritur maksimumin e cilësisë së mësimdhënies së tyre për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Tekstet janë edhe në formë të digjitalizuar në faqet respektive të ministrive tona, të Qendrës së Botimeve të Diasporës dhe gjithashtu të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Kosovës. Jam e kënaqur gjithashtu që këto tekste do të jenë në duart e fëmijëve dhe të mësuesve duke filluar nga viti i ardhshëm akademik, gjithashtu duke pasur në dorë edhe abetaren dhe tekstin për Nivelin I, II dhe III që ne sapo firmosëm së bashku.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci e cilësoi bashkëpunimin mes dy ministrive vitet e fundit të jashtëzakonshëm.
“Gjatë këtyre katër viteve të fundit, bashkëpunimi në fushën e arsimit me Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit, këtu me ministren Manastirliu, ka qenë i jashtëzakonshëm dhe tashmë kemi shumë rezultate në këtë drejtim, pasi finalizimi i abetares së përbashkët, tekst me të cilin mësojnë të gjithë vogëlushët tanë në Kosovë, Shqipëri dhe disa komuna të Maqedonisë së Veriut dhe tashmë edhe fëmijët atje në mërgatë, tashmë finalizuam edhe tekstin e III “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, tekste me të cilat do të mësojnë të gjithë fëmijët tanë në mërgatë, duke kompletuar kështu të gjitha nivelet e kurrikulës për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare.”, tha Nagavci.
Një tjetër ngjarje me rëndësi është Olimpiada e Përbashkët e Gjuhës Shqipe, e cila përfshin nxënësit e klasave të nënta të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Një tjetër lajm i mirë është që ne së bashku me Ministren e Kosovës, Arbërie Nagavci, gjithashtu me ekipin e saj dhe të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, kemi marrë një vendim përpara pak kohësh për të bërë për herë të parë Olimpiadën e përbashkët të gjuhës shqipe Shqipëri-Kosovë. Tashmë kemi filluar me garat në shkolla dhe sigurisht, më datë 10 prill do të jetë edhe dita e madhe ku do të kemi një festival të gjuhës shqipe, ku nxënës të Kosovës dhe Shqipërisë do të tregojnë njohuritë e tyre për gjuhën, dijet e tyre për gjuhën dhe kulturën shqiptare.”, bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ky bashkëpunim mes dy vendeve përbën një hap të rëndësishëm për mbrojtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe, duke e bërë atë të pranishme dhe të aksesueshme për të gjithë shqiptarët, kudo ku ata ndodhen.