“Paraqitje e papranueshme, por Motta nuk është në dyshim”. Kështu u shpreh drejtori sportiv i “Zonjës së Vjetër” pas eliminimit përballë Empolit, por kjo deklaratë e Giuntolit ishte më shumë një përpjekje për të qetësuar ambientin pasi është e qartë se situata nuk është aspak komode.
Dy eliminime radhazi, në Champions dhe Kupë, kundër dy ekipeve lehtësisht të kalueshme në letër si PSV dhe Empoli, kanë renduar jo pak pozitat e Thiago Motta-s, madje mediat kanë nisur edhe sondazhet për të kuptuar se kush do të jetë pasuesi i tij në stolin e Juves. Emrat më të rëndësishëm janë ato të Contes dhe Gasperinit, por të dy janë nën kontratë, ndërsa së fundmi po fitojnë kuota De Zerbi dhe Tudor.
Me apo Thiago Motta-n në fund të sezonit, i sigurt duket largimi i Dusan Vlahovic. Në këtë pikë, Giuntoli nuk ka asnjë dyshim, madje nuk ka asnjë dyshim edhe në lidhje me pasuesin e tij në Torino.
La Gazzetta dello Sport shkruan se drejtori i Juves është i fiksuar pas idesë për të veshur bardhezi Victor Osimhen. Me largimin e sigurt të Vlahovic, Giuntoli do të kishte në dispozicion paratë e nevojshme për t’u futur në negociata me Napolin për të vënë në jetë rikthimin e nigerianit në Serie A.