Kryeministri Edi Rama ka vijuar me takimet e tij këtë të hënë, ku është ndalur edhe në Gjirokastër. Në takimin e zhvilluar me qytetarët e të rinj, është prezantuar edhe skuadra e re për Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Kryeministri u shpreh se zgjedhjet e 11 majit janë shumë të rëndësishme për ecurinë e negociatave, duke nënvizuar se për herë të parë, mundësia e futjes në BE është reale dhe aktuale.

“Sot dua të përqendrohem vetëm te një temë që besoj është kryefjala përse të gjithë bashkë ne si socialistë, por edhe si shqiptarë duhet ta konsiderojmë 11 majin si një moment historik dhe si një shans për të marrë pjesë në bërjen e historisë. Në gjithë këto vite, kemi bërë zgjedhje ku kemi folur dhe kemi marrë zotime, kemi bërë bilance dhe besoj qoftë edhe një bilanc shumë pozitiv, apo të gjitha arsyet për të qenë të pakënaqur me gjërat që duhet të bëhen më mirë dhe për të qenë ambicion për gjërat që duhen bërë më tutje, me Gjirokastrën… Me rëndësi është se 11 majin e bën një ditë votimi të pazakonshëm sepse bëhet fjalë se ku do të jetë Shqipëria në vitet e ardhshme që përkojnë me mandatin tonë të 4″, tha Rama.