Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Ç’kemi ndo1 të re” ka folur në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes për pensionet me Italinë ku u shpreh se ndihet shum i lehtësuar që më në fund u mbyll ky proces. Ai u shpreh se tani ka rëndësi që mundi dhe sakrificat e shqiptarëve do njihen njësoj si për italianët, pa asnjë dallim.

Sipas tij marrëveshja e pensioneve me Italinë është një nga dy marrëveshjet me të vështira. Ai falenderoi homologen e tij italiane, Giorgia Meloni ndërsa theksoi se pa të kjo marrëveshje nuk do të merrte fund edhe për vite të tëra. Rama shtoi se tani qershia mbi tortë për të mbyllur këtë cikël, mbetet marrëveshja me Greqinë.

Kryeministri theksoi se ka besim se mandati i tij i katërt do të jetë mandati i pensioneve të ligjëruara të shqiptarëve të Greqisë, siç do të jetë dhe mandati i heqjes së ligjit të luftës dhe i vënies mbi ‘i’ i të gjitha pikave të dakordësuara mes nesh.

Sot jam vërtetë i lehtësuar nga mbyllja më në fund e procesit të gjatë burokratik të miratimit të ligjit të pensioneve për shqiptarët e Italisë. Hallall dhe vicklat, talljet, përqeshjet, jo ishte lojë, jo ishte tallje, jo e paç haram etj…. rëndësi ka që tanimë mundi dhe sakrificat e shqiptarëve do njihen njësoj si për italianët, pa asnjë dallim.

Kjo ishte njëra nga dy marrëveshjet absolutisht më të vështira të pensioneve sepse bëhet fjalë për gati gjysmë milionë njerëz, dhe i jam falënderues Giorgia Melonit, pa të cilën kjo nuk do të merrte fund, dhe mund të merrte vite dhe vite të tjera. Tani qershia mbi tortë për të mbyllur këtë cikël, mbetet marrëveshja me Greqinë. Qielli është hapur përsëri nga retë që siç e dini u mblodhën prapë për arsyen që dini, dhe vendosmëria ime është të mbyllim të gjitha çështjet e hapura me po atë ndjenjë respekti dhe bashkëpunimi që kemi ndarë me kryeministrin grek që prej takimit tonë të parë.

Unë kam shumë besim që mandati ynë i katërt do të jetë mandati i pensioneve të ligjëruara të shqiptarëve të Greqisë, siç do të jetë dhe mandati i heqjes së ligjit të luftës dhe i vënies mbi ‘i’ i të gjitha pikave të dakordësuara mes nesh.

Shqipëria e 2030 dhe Greqia do të jetën së bashku në BE dhe do të lënë pas çdo hije të së shkuarës duke u afrua më shumë se kurrë për të mirën e përbashkët, por dhe me bindjen se në këtë botë të trazuar së bashku jemi shumë më të fortë”, u shpreh Rama.