Këshilli i Bashkisë së Tepelenës është mbledhur këtë të mërkurë, ku ka miratuar unanimisht dorëheqjen e kryebashkiakut Tërmet Peçi, i cili do të jetë pjesë e listës për deputet në Qarkun Gjirokastër në zgjedhjet e 11 Majit.

Pas miratimit të dorëheqjes së Peçit, këshilli ka komanduar e zv.kryetaren Julinda Karteri si kryetare e komanduar e Bashkisë së Tepelenës.

Karteri do të drejtojë institucionin deri në përfundimin e mandatit, ndërsa në fjalën e saj para këshillit u angazhua për vijimësinë normale të punës së administratës dhe përmbushjen e projekteve në shërbim të qytetarëve.

“Në zbatim të ligjit 39/2015 për vetëqeverisjne vendore, Këshilli i Bashkisë ka kompetencën dhe funksionet e kryetarit të bashkisë deri në zgjedhjet e ardhshme vendore. Duke u bazuar në këtë ligj, shumica e këshillit bashkiak më ka votuar mua si kryetare të komanduar.”-shprehet Karteri.

Ndërkohë, emrat e kandidatëve për Qarkun Gjirokastër nga radhët e Partisë Socialiste pritet të zyrtarizohen në Asamblenë e kësaj force politike, që do të mblidhet në orën 19:00.