Pavarësisht situatës së tij të pazakontë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka munguar as këtë vit në traditën e tij të urimit për Ditën e Mësuesit. Ai u ka dërguar një letër të gjithë mësuesve, duke i falënderuar për kontributin e tyre dhe duke u shprehur mirënjohje për punën e palodhur në edukimin e brezave.
“Të dashur mësues,
Ja ku erdhi 7 Marsi dhe pavarësisht vendit ku ndodhem, s’mund të rrija pa ju uruar Gëzuar Ditën e Mësuesit, ndonëse do të kisha dashur që, këto fjalë zemre, t’ua shkruaja, si çdo vit, nga zyra ime, në krye të punëve të qytetit.
Vite më parë, Pjetër Arbnori, me një shkrim imcak mbi fletë cigaresh, që i nxori fshehurazi nga burgu, i shkroi nënës: “Ti mos u mërzit se unë do të vij e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht se unë do të vij i ndershëm në shtëpi…”
Me të njëjtat fjalë dua t’ju drejtohem edhe unë, Ju “nënave” të dyta, siç ju kemi konsideruar gjithnjë. Padyshim që do të vij i ndershëm, se kemi ende shumë punë për të bërë. Se janë të mira punët që kemi nisur, kemi bërë e do të bëjmë akoma, ndaj s’ka pengesë të na ndalojë për t’i çuar deri në fund”, thekson ai.
Në letrën e tij, Veliaj siguron se do të rikthehet për të vijuar punën e nisur. Ai përmend 45 shkollat e reja të ndërtuara në Tiranë, duke shprehur angazhimin e tij se transformimi i sistemit arsimor do të vazhdojë edhe më tej. “Mësuesit e mi, mësuesit tanë, mësuesit e brezave, duke u përulur si gjithnjë para Jush, duke nderuar përpjekjet, mundin, punën tuaj të paçmuar, nga këtu ku jam padrejtësisht, ju shoh nëpër korridoret, klasat, laboratorët, bibliotekat, palestrat plot dritë dielli të shkollave që së bashku i bëmë për Ju dhe nxënësit që udhëhiqni drejt jetës. Përfytyroj ndjesinë pozitive që krijojnë 45 shkollat e reja e të shumta, si dita me natën, me ato brenda të cilave ju është dashur të jepni mësim më parë. Njëherësh ju premtoj se do të vijojmë me më shumë shkolla të reja. Se planet i kemi bërë për t’i përmbushur.
Ka hyrë sakaq një vit i rëndësishëm për kryeqytetin”, deklaron ai.
Pavarësisht sfidave, kryebashkiaku shprehet krenar për mbështetjen që u ka dhënë mësuesve ndër vite dhe garanton se angazhimi për arsim cilësor do të vijojë.
Veliaj kujton me krenari përzgjedhjen e Tiranës për të mbajtur kurorëm e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut 2025.
“Me votë unanime, na është vënë kurora e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut 2025. Na është vënë pas kurorave të tjera, që i kemi mbajtur me dinjitet; pas provave që kemi dhënë, pas sukseseve që kemi dëshmuar, pas punëve të mira që i kemi bërë bashkë.
Pengesat janë bërë për t’u kapërcyer! Ju vetë i edukoni fëmijët me besime të tilla. Ju, krijuesit e qytetarëve të denjë të së nesërmes, gjë për të cilën meritoni veç mirënjohje. Krenar që ju kam qëndruar në krah, duke ju ofruar mbështetjen për përmbushjen e misionit tuaj. Krenar, teksa ju uroj festën, dëshiroj t’ju dëshmoj mbështetjen e përhershme edhe në vazhdim.
Gëzuar 7 marsin” thekson Veliaj.