Avokati Spartak Ngjela ironizoi sot kryetarin e Partisë Demorkatike Sali Berisha, në lidhje me rikthimin e konsulentit elektoral të fushatës Chris LaCivita, duke theksuar se po e shet si amerikanizëm një person të zakonshëm që nuk përfaqëson Uashingtonin zyrtar.
Ish-deputeti i PD-së, i ftuar në ‘Studio Live’ në Report Tv, iu përgjigj disa prej pyetjeve të moderatorit Arbër Hitaj në lidhje me zhvillimet politike të ditëve të fundit, fushata elektorale, akuzat PD-PS për programin elektoral, SPAK-un dhe situatat gjeopolitike në rajon.
Ngjela tha se Chris LaCivita përfaqëson një subjekt privat që kontraktohet për fushata dhe vetëm kaq, teksa PD-ja sipas tij gënjen për akuzën se PS i ka vjedhur programin. Për të, Rama i ka të fituara zgjedhjet dhe jo se PS ndodhet në kuota optimale elektorale, por sepse opozita ka në krye Sali Berishën, një person me telazhe penale me drejtësinë dhe i shpallur “non grata” nga SHBA-të.
Ngjela e thotë qartë se nuk mund të bëhet kurrë kryeministër një individ politik i shpallur “non grata” nga Amerika dhe në këtë rast për më tepër Berisha, që sipas tij po mban peng dhe në humbje të sigurt demokratët.
“Fushatat elektorale që marrin presidentët në perëndim janë të paguar si organizma, nuk janë pjesë e stafit dhe politikës amerikane në këtë rast. Secili zgjedh atë që do i bëjë fushatën elektorale. Berisha ka shkuar ka marrë atë dhe na thotë se jam me Amerikën. Janë nonsense këto, kjo ka qenë fushata e Berishës gjithë jetën, nonsens dhe mashtrim. Nuk ka vota ai. Duhet të largohet që t’i japë PD-së mundësinë për të ardhur në pushtet, nuk vjen dot në pushtet. Është non grata në Amerikë, nuk mund të vijë kurrë në pushtet, si mund të jetë kryeministër i Shqipërisë një njeri që është non grata në Amerikë. Kjo është njëra, por me Lindjen e Mesme ka punuar, ka e të tjera, ua them unë, por do dalin. Ka marrë fund, është non grata në SHBA, si do fitojë zgjedhjet?”, shprehet avokati për Report Tv.
Ai vlerëson edhe sondazhet e publikuara, përfshi edhe atë të Piepoli e Report Tv në lidhje me situatën zgjedhore dhe projeksionet, duke u shprehur se Rama dhe PS e kanë të sigurt fitoren, ndaj janë edhe të qetë, kurse Berisha është i sigurt për humbjen, por rri në opozitë vetëm për interesat personale.
“Ka sondazhe, ai ndaj është i gëzuar, i kam unë dhe ndërkombëtarët i kanë. Ku kanë vota këta të PD. Ai është i sigurt për t’i fituar zgjedhjet, e ka të sigurt. A nëse ikën Saliu? Bie ai dhe s’është kryetar partie, atëherë s’i dihet! Kam të dhëna, e mbështesin underground që të jetë ky, kam informacione. Të jetë ky. Por jo Berisha, si do vijë në pushtet ky, kur është non grata në Amerikë. A po, që ka interesin e tij, po cili është? Pyeteni! Zërat thonë se interesin e ka te pronësia që ka dhënë, SPAK po vijon, Saliu është për korrupsion në SPAK në proces penale. Nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta. Është nën akuzë nga SPAK, nën proces penal”, thekson avokati.
Kurse në lidhje me akuzat që PD ka bërë së fundmi se PS i ka vjedhur programin elektoral, Ngjela nënvizon se është gënjeshtër e radhës, pasi në të kundërt do ishte bërë padi penale apo civile për rastin.
“Programi është vlerë, për faktin që ata nuk bëjnë padi gjyqësore, sepse është vlerë personale, kulturore dhe juridike pasi është program në funksion të pushtetit, kjo tregon se gënjejnë. Atë e zgjidh gjykata dhe jo populizmi,. Nëse mua më vjedhin programin shkoj në Gjykatë, fakti që ata nuk shkojnë do të thotë se gënjejnë. Nëse kopjojnë programin tënd është vepër penale dhe civile në dëm të një partie. Akuzat e PD si në mesjetë, gënjen. Fakti që s’kemi një gjë të tillë, pse më pyet. Në demokraci akuza shkon në gjykatë, ka marrë fund. Këto janë interes personal dhe jo kombëtar. Një parti politike që ka interes kombëtar i thotë popullit veprat dhe se çfarë do bëjë, ndryshe janë gënjeshtra. Psh. si do ndalojë emigracionin masiv. Por kujt i thua, këta nuk janë me Shqipërinë, do dalin të gjitha, po prisni”, analizon Ngjela për Report Tv.