Qeverinë e re të Kosovës duhet ta formojë opozita. Ky është qëndrimi i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje. Për këtë mision, sipas Haradinajt, kanë nisur komunikimet mes palëve.
“Besoj që veç shihet se shumicën e ka opozita, kuptohet pas afateve kushtetuese opozita mund ta krijojë qeverinë. Besoj kjo është ajo që na takon neve si opozitarë, që të bashkohemi dhe të krijojmë qeverinë nga opozita. Ka komunikim të ndërsjellë [me opozitën], nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese por besoj ka gatishmëri që të ecim.”, tha Haradinaj.
Teksa pyetet se në cilin rast do të bashkëpunonte me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Haradinaj i qëndron besnik linjës opozitare.
“Ne jemi në opozitë dhe si opozitarë angazhohemi me i dhënë Kosovës qeverinë e shumicës së opozitës. Ky është qëndrimi dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.”
Jo kaq i qartë ka qenë kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës Bedri Hamza.
Përmes një statusi në facebook, ky i fundit teksa falenderoi votuesit për mbështetjen, la shtigje të hapura për një bashkëpunim me VV.
“Faleminderit mbi 196 mijë qytetarëve që besuan te Partia Demokratike e Kosovës. Faleminderit për mbështetjen që na e keni dhënë për ta bërë Kosovën më të mirë!
Institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa dhe është përgjegjësi e jona t’i respektojmë afatet ligjore dhe të jemi transparentë.
Së bashku duhet t’i mbrojmë vlerat që na bashkojnë, interesin publik dhe vendin tonë!”
Numërimi i votave të zgjedhjeve të përgjithshme ka përfunduar të mërkurën e 5 marsit. Sipas rezultateve preliminare të publikuara në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 deputetë, e Partia Demokratike e Kosovës 24, LDK 20 dhe AAK Nisma 8 deputet.
Seanca e parë e parlamentit të ri mbahet brenda 30 ditësh nga dita e certifikimit zyrtar të rezultateve, ndërsa detyra e parë e këtij legjislativi është zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.