Kryepeshkopi i Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi, ka dhënë ditën e sotme meshën e tij të parë në këtë detyrë nga Kisha e Korçës, ku ka shërbyer prej 27 vitesh. Në nisje të meshës, kamera e Report TV ka pyetur disa nga besimtarët pjesëmarrës mbi këtë ngjarje.
Ata vlerësojnë kontributin e Pelushit dhe shprehen se kanë mësuar shumë prej tij. Një nga besimtarët e ka quajtur Imzot Joanin si një prej figurave të ndritura të besimit ortodoks.
‘Është një nga figurat më të ndritura që ka nxjerrë ortodoksia pas fortlumturisë Anastas. Është në nderin e tij që bën meshën e parë si Kryepeshkop i Shqipërisë.’-shprehet besimtari.
Një tjetër grua, besimtare e vjetër në qytetin e Korçës, thekson se ka mësuar shumë gjëra prej tij dhe vlerëson pjesëmarrjen e Kryepeshkopit në meshën e sotme.
‘Është njeriu më i lirë, më shpirtëror dhe më i bekuar. Ai na ka mësuar shumë gjëra për kishën, për njerëzimin, për besimin ndaj Zotit, të kemi miqësi nga gjithë anët. Jam shumë e lumtur që ai është këtu sot për meshën e parë si Kryepeshkop.’-tha besimtaria.
Në përfundim të intervistave, një besimtar i rregullt i kishës u shpreh se, sipas tij, ai është një nga njerëzit më të denjë të fesë ortodokse.
‘Jam shumë i lumtur që dhespotit të Korçës iu dha mundësia të bëhej dhespot i Shqipërisë. Është njeriu më i denjë për ortodoksinë shqiptare.’- u shpreh një tjetër qytetar.