Nuredin Dumani ka dalë sërish sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku sot ka pasur përplasje me Enver Divën. Në seancën e sotme për dosjen “Plumbi i Artë”, Dumani tha ka dhënë detaje mbi vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë. Teksa fliste edhe për Festim Qolin, zbuloi se këtij të fundit i kishte shprehur “gëzimin” që kishte përjetuar kur kishte marrë vesh lajmin e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj.

“Henrik Hoxhaj e kam takuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019. Në atë kohë, Festim Qoli ishte në kërkim për vrasjen e Elvis Dedës. Në takimin mes meje dhe Henrik Hoxhës në Tiranë, te hoteli ‘Diplomat’, kemi bërë muhabet për atentatin që do të ndodhte. Të tre jemi takuar edhe në ditëlindjen e Festim Qolit, por unë nuk kam bërë asnjë bisedë me Henrikun atë natë sepse ai ishte tapë. Në takimin e dytë, unë dhe Festimi erdhëm në Tiranë, në Bllok, aty ku jetonte Henriku. Shkuam te hoteli ‘Diplomat’ dhe qëndruam aty rreth një orë e 30-40 minuta. Pas kësaj, shkuam te një dyqan pas ‘Tajvanit’, ku shiteshin telefona të inkriptuar. I dhashë 5 mijë euro Henrikut për një telefon të tillë. Unë kisha një telefon të inkriptuar me kodin ‘Covid19’. Më pas, më tha: ‘Do vish, do të jap 95 mijë euro për vrasjen e Dorjan Shkozës në Durrës.’ Personi tjetër që do të përfshihej ishte Eljo Bitri. E kisha vënë në dijeni Henrikun për këtë. Elios i premtova 35 mijë euro për pjesëmarrjen në vrasje. Festim Qoli më kishte folur për të kur dola nga burgu për herë të parë, ose herën e dytë, nuk e mbaj mend saktësisht. Unë isha arrestuar për vjedhjen e dy makinave në Tiranë. Kur dola nga burgu, i thashë Festimit për një shef policie të komisariatit numër 6, i cili më kishte goditur disa herë kur isha arrestuar. Më pas, mora vesh që ai ishte vrarë. I thashë Festimit: ‘Mirë që u vra Dritan Lamaj, se më hyri në hak kot,”- tha Dumani.

Gjatë seancës, një moment tensioni u shkaktua nga Enver Diva, i cili u ngrit i irrituar dhe deklaroi se disponon prova që Dumani ka bashkëpunuar me drejtësinë për të futur në burg miqtë e Talo Çelës.

“Kam 120 minuta regjistrim për Nuredin Dumanin. E kam të regjistruar që Nuredin Dumani do fuste në burg gjithë shokët e Talo Çelës. E kam me prova që gjyqtarë dhe deputetë kanë ardhur dhe takuar Nuredin Dumanin,”-tha Diva.