Kryeministri Edi Rama, në një takim me të rinjtë në Tiranë, i është përgjigjur një prej pyetjeve të tyre për angazhimin dhe energjinë e tij në politikë.

Rama tha se për të, angazhimi në këtë fushë është më shumë një pasion dhe mision sesa një profesion.

“Për mua politika nuk është profesion, punë, zanat, jo e jo, nuk është karrierë në kuptimin që i jepet karrierës, është pasion dhe mision,” tha Rama.

Ai shpjegoi se, për sa i përket angazhimit të tij në politikë, nuk ka qenë ndonjë vendimmarrje e menduar gjatë, por më shumë një ndodhi që ka ardhur si rezultat i rrethanave të jetës dhe fatit.

Më tej ai theksoi se ajo që e mban ende me energji në politikë është integrimi në BE dhe një lloj hakmarrje për çfarë ka ndodhur në të shkuarën.

“Mua më mban fakti që mund ta përmbyllim këtë faze historike duke hyrë të BE, është edhe një lloj hakmarrje për çfarë ka ndodhur në të shkuarën”, tha kreu i qeverisë.

Rama: Për sa i përket energjisë është çështje më personale. Për mua politika nuk është profesion, punë, zanat jo e jo, nuk është karrierë në kuptimin që i jepet karrierës, është pasion dhe mision. Dhe nga mënyrat se si ka ndodhur me mua, po të shohësh momentet që më kanë bërë të merren me këtë pune, ka qenë edhe fat.

Nuk kanë qenë vendimmarrje të menduara gjatë, por rrethanat. E fundi ka të bëjë dhe me historinë. Në moshën tuaj jetoja në një regjim tjetër, s’kishte lidhje me ketë sot dhe ishte një betejë për liri personale, nuk kishte lidhje me alternativa, rrethanat e kanë sjellë që të ngec këtu në këtë valle.

Kjo është. Unë i them zjarri i brendshëm, për sa kohë kam këtë, skam nevojë të mendoj ku t’i gjej energjitë, nëse zjarri shuhet do e kem të vështirë të gjej energjitë. Mua më mban fakti që mund ta përmbyllim këtë faze historike duke hyrë të BE, është edhe një lloj hakmarrje për çfarë ka ndodhur në të shkuarën.