Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi sot progres-raportin për Shqipërinë i hartuar nga Andreas Schieder.

Sipas një postimi në rrjetin social “X” të Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian ”Shqipëria po përparon mirë në rrugën e saj drejt BE-së, tregon raporti i këtij viti mbi gatishmërinë e vendit për anëtarësim në BE”.

”Megjithatë, disa sfida ende duhet të adresohen për të arritur objektivin ambicioz, por realist, për të qenë gati për BE-në deri në vitin 2030”, sipas raportit të hartuar nga Andreas Schieder, i cili foli përpara Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, ku po diskutohet progres-raporti për Shqipërinë.

Eurodeputetët kanë vlerësuar reformat sidomos në drejtësi dhe punën e SPAK në ndëshkimin e korrupsionit politik.

Një pjesë e eurodeputetëve vunë në dukje se Shqipëria ende përballet me një sërë sfidash, si tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik, ndërkohë që kërkuan forcimin e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

Ata këmbëngulën në nevojën për të adresuar dhe zbatuar rekomandimet e pazgjidhura nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Sakaq zgjedhjet parlamentare të 11 Majit konsiderohen si gur prove në arritjen e standardeve të kërkuara nga Brukseli.