Më shumë se 25.000 njerëz dolën sot në rrugët e Madridit, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, për të kërkuar barazi të vërtetë mes grave dhe burrave.

Demonstrata u mbajt me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave.

“Ne jemi ende larg fundit të kësaj beteje. Duam barazi të vërtetë, jo barazi të rreme,” deklaroi për mediat Rosa Muñoz Althala, 67- vjeç.

Edhe shoqja e saj, Dori Martinez Monroy, 63 vjeç, shprehu shqetësimin për rritjen e ekstremit të djathtë:

“Gratë duhet të kenë të njëjtat mundësi si burrat dhe të jenë në pozita të pushtetit. Por po ecim mbrapsht. Çdo e drejtë e fituar duhet mbrojtur, sepse gratë janë të parat që goditen’, tha ajo.

Kjo ishte një thirrje e frymëzuar nga historia tronditëse e Giselle Pélicot, një 70-vjeçare franceze e droguar dhe përdhunuar për vite nga burri i saj.

Në fund të vitit 2024, Pélicot u bë një simbol global i rezistencës feministe, pasi refuzoi që gjyqi i përdhunuesve të saj në Francë të mbahej me dyer të mbyllura.