Ka një marrëveshje! Ukraina deklaroi gatishmërinë e saj për të pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm për 30-ditë. Në këmbim, Uashingtoni të nisë menjëherë dërgesën e armëve në Kiev. Së fundi, të dy vendet thanë se ranë dakord të përfundojnë një marrëveshje mbi zhvillimin e burimeve minerale të Ukrainës.
Pas përfundimit të takimit që ka nisur që në orën 10.30, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio theksoi në deklaratat e tij të para: Shpresojmë që Rusia të jetë dakord. Topi është tani në fushën e tyre. Ukraina pranoi bazën e planit tonë!
Për çfarë ranë dakord?
Në deklaratën e tyre të përbashkët, pas një takimi nëntë orësh, SHBA dhe Ukraina theksojnë se SHBA do të heqë menjëherë pezullimin e shkëmbimit të informacionit dhe do të vazhdojë ndihmën e saj për sigurinë në Ukrainë. Ky është një fitim i rëndësishëm për Ukrainën, e cila u mbështet në inteligjencën amerikane lidhur me lëvizjet e ushtrisë ruse dhe vendndodhjet e objekteve.
Të dy vendet thanë gjithashtu se ranë dakord për të përfunduar një marrëveshje mbi zhvillimin e burimeve minerale kritike të Ukrainës. Kjo është marrëveshja që solli përçarjen mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Më në fund, të dy delegacionet ranë dakord të caktojnë ekipet e tyre negociuese dhe të fillojnë menjëherë bisedimet për një paqe të qëndrueshme që do të sigurojë sigurinë afatgjatë të Ukrainës.
Andriy Yermak, ndihmësi më i afërt i Volodymyr Zelenskyy dhe anëtar i delegacionit ukrainas në Arabinë Saudite, postoi një mesazh të shkurtër në platformën X. Ai theksoi se mbrojtja e interesave të Kievit është “gjëja më e rëndësishme”, ndërsa një “paqe e drejtë” është çelësi.
“Mbrojta e interesave të Ukrainës është gjëja më e rëndësishme për ne. Një paqe e drejtë është çelësi për ne. Duam një paqe afatgjatë. Faleminderit për këtë takim konstruktiv.”