Qytetarët e revoltuar në Maqedoninë e Veriut kanë shkatërruar një kafene nën pronësinë e të njëjtit person që zotëronte edhe diskotekën “Puls” ku humbën jetën 59 persona.

Pas tragjedisë së ndodhur një ditë më parë, qytetarët u mblodhën këtë të hënë në qendër të Koçanit për të nderuar viktimat, por edhe për të kërkuar drejtësi.

Protesta e tyre nisi në mënyrë paqësore, në vijim ata u drejtuan drejt bashkisë së qytetit ku kanë goditur me vezë godinën.

Më pas një grup njerëzish shkuan në rrugën Dimitra Vlahovića dhe shkatërruan një ndërtesë në pronësi të një DJ, i njëjti njeri që ka në pronësi edhe “diskon e vdekjes”, ku humbën jetë 59 persona.

Qytetarët fillimisht kanë gjuajtur me gurë kafenenë, e më pas kanë goditur me shqelma gjithçka që u doli para. Ajo që bën përshtypje, është se ndonëse policia ishte e pranishme, nuk ka ndërhyrë.