Nga D.Dibra/

Kosova e Lirë – Pavarësia e Shkruar me Gjak

Vdekja e Haxhi Thaçit, babait të ish-Presidentit Hashim Thaçi, ishte më shumë se një humbje personale dhe familjare—ajo u kthye në një pasqyrë të kontrastit të madh mes madhështisë së popullit dhe dobësisë së institucioneve. Ndërsa mijëra shqiptarë u bashkuan për të nderuar familjen Thaçi në ditën e saj të dhimbjes, qeveria e Kosovës heshti. Dhe në atë heshtje, fshihej një tragjedi edhe më e madhe: përpjekja për të harruar Ata që e ndërtuan Kosovën shtet!

Hashim Thaçi nuk është thjesht një ish-president; ai është një nga arkitektët e pavarësisë së Kosovës. Nga Marrëveshja e Rambujesë në vitin 1999, që çoi në çlirimin e vendit, deri te shpallja historike e pavarësisë në 2008-ën, roli i tij është i pamohueshëm. Sot, në vend që të jetë pranë popullit të tij, ai mbahet i burgosur në Hagë duke u përballur me një gjyq politik, të ndikuar nga presioni i Serbisë dhe aleatëve të saj. Dhe pikërisht në ditën kur kishte më shumë nevojë se kurrë për shtetin e tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit, shteti që e themeloi me firmën e tij i ktheu shpinën.

Në ditën e varrimit të Haxhi Thaçit, Kosova u shndërrua në një katedrale të unitetit kombëtar. Mijëra shqiptarë nga trojet ku flitet shqip dhe diaspora u mblodhën në Burojë dhe Skënderaj për të nderuar një familje që i dha Kosovës, komandantin e luftës dhe presidentin e paqes. Por mes këtij homazhi të madh, mungesa e qeverisë ishte e dhimbshme. Nuk pati asnjë përpjekje për të lejuar Hashim Thaçin të merrte pjesë në varrim, asnjë fjalë zyrtare—vetëm heshtje. Dhe në këtë heshtje, ne pamë dy Kosovë: njëra që nderon historinë, tjetra që përpiqet ta fshijë atë.

Kjo nuk ishte thjesht mungesë lidershipi—ishte një tradhti ndaj vetë idealeve për të cilat luftoi UÇK-ja. Një qeveri që nuk mbron dinjitetin e njërit prej themeluesve të shtetit, ka braktisur jo vetëm atë, por çdo familje dëshmori që dha jetën për lirinë e Kosovës. Nuk ka asnjë justifikim për këtë heshtje! E vërteta është e qartë: pa UÇK-në, pa Adem Jasharin dhe Hashim Thaçin me shokë, Kosova nuk do të ishte e lirë sot.

Vdekja e Haxhi Thaçit na kujtoi një të vërtetë historike—shqiptarët nuk i harrojnë heronjtë e tyre. Në atë varrim nuk kishte ndasi politike, fetare apo gjeografike. Ishte një komb që nderonte sakrificën dhe besonte në një Kosovë të lirë. Ky nuk është thjesht një kujtim i së kaluarës, por një thirrje për të mbrojtur të vërtetën e luftës çlirimtare.

Gjyqi që po zhvillohet në Hagë nuk është vetëm një betejë për Hashim Thaçin—është një provë për vetë Kosovën. A do të lejojmë ne si popull që Serbia ta rishkruajë historinë me gjyqe të montuara? A do të heshtim ndërsa çlirimtarët tanë përballen me akuza të padrejta?
Përgjigja e popullit tashmë është dhënë: JO!
Me pjesëmarrjen masive në varrim dhe ngushëllimet që zgjatën për ditë të tëra në Skënderaj, shqiptarët folën me një zë: “Hashim Thaçi është i yni. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë. Askush nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë.”

Kosova nuk mund të ecë përpara duke mohuar të kaluarën. Pavarësia nuk u fitua në tavolina diplomatike, por me gjakun e dëshmorëve. Një shtet që nderon heronjtë e tij, nderon edhe vetveten, ndërsa një qeveri që i braktis ata, tregon dobësinë e saj.

Hashim Thaçi bën 5 vjet i burgosur në Hagë, por ai nuk do të mposhtet kurrë. Historia e Kosovës nuk shkruhet dot në gjykata të manipuluara—ajo jeton në zemrat e atyre që luftuan për Kosovën, jeton e do të jetojë përjetësisht për sa kohë do të ekzistojë kombi shqiptar.
Për Albin Kurtin, Vjosa Osmanin dhe të gjithë lidershipin që qeveris sot Kosovën, vdekja e Haxhi Thaçit dhe sjellja e tyre me Hashimin duhet të shërbejë për një reflektim të thellë, sepse Kosova është amaneti që nuk falet kurrë, dëshmorët dhe heronjtë e gjallë janë vetë Kosova dhe jo pushteti kalimtar i radhës!