Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ishin të pranishëm të martën në qendrën spitalore Rajonale të Kavajës, e cila tani ofron shërbime shëndetësore për rreth 100,000 banorë të Kavajës, Rrogozhinës dhe zonave përreth, por edhe për turistët e shumtë që zgjedhin të pushojnë në plazhet pranë.
Kryeministri Edi Rama bën të ditur se për herë të parë në këtë strukturë spitalore është hapur Klinika e Rehabilitimit për pacientët me sëmundje kronike pulmonare si dhe pas gjashtë vitesh, edhe shërbimi i Reanimacionit i pajisur me aparatura të reja duke mundësuar realizimin e operacioneve në kushte bashkëkohore.
Ministrja Koçiu, gjatë inspektimit me kryeministrin, përmendi se ky spital është “bashkuar” me Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Kjo, sipas ministres, ka ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve por edhe në shkëmbimin e dijeve mes bluzave të bardha në të dy spitalet.
“Spitali bashkiak i Kavajës është i bashkuar me spitalin “Shefqet Ndroqi” për të sjellë ekselencën e shërbimeve mjekësore. Jemi duke bërë rikonstruksion të kësaj godine. Kjo strukturë spitalore i shërben edhe bashkisë së Kavajës dhe Rrogozhinës, janë 120 mijë banorë që marrin shërbimin këtu ndërkohë që ka një fluks të madh. Veçoria e kësaj strukture është se kemi mjekë dhe infermierë që shërbejnë në të dy spitalet, edhe në Tiranë dhe njësinë e Kavajës, mjekë që vijnë nga “Shefqet Ndroqi” sipas planifikimit të shërbimeve, duke ofruar mundësi për të shkëmbyer dije dhe njohuri me mjekët këtu por edhe duke përmirësuar akoma më shumë shërbimet që ofrohen në këtë spital. Mundësi administrimi shumë e mirë për të ngritur kapacitetet e mjekëve që shërbejnë këtu duke shërbyer njohuri profesionale me mjekët e “Shefqet Ndroqi”.”, tha ministrja.