Durrës, 12 Mars- Një tjetër shkollë e re ka hapur dyert me standarde europiane në qytetin e Durrësit. Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ishin sot në gjimnazi “Naim Frashëri” në Durrës, e rindërtuar plotësisht dhe e pajisur me laboratorë modernë, bibliotekë bashkëkohore, terrene sportive, palestër dhe shërbime mbështetëse.
“Kjo shkollë i shërben 800 nxënësve, me laboratorë, palestër, klasa moderne, me standardet më të mira. Vetëm në Durrës janë 38 shkolla të rindërtuara”, tha Manastirliu.
Duke folur për sigurinë e nxënësve, Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se do të rritet numri i punonjësve të sigurisë në shkolla.
“Jemi duke punuar për shtimin e numrit të punonjësve të sigurisë edhe në shkollat me numër të ulët nxënësish dhe shumë shpet do të dyfishojmë numrin e punonjësve të sigurisë në shkolla”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Me këtë investim të ri me financim nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNDP, Gjimnazi “Naim Frashëri” ofron tashmë kushte moderne për nxënësit e kësaj shkolle, duke i hapur rrugën një modeli të ri shkollash që mbështesin cilësinë dhe gjithëpërfshirjen në procesin mësimor. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur ndërkohë thirrjen për investime në projektet infrastrukturore 2025-2026, për rindërtimin apo rikonstruksionin e institucioneve arsimore, ku janë paraqitur rreth 60 projekte për rindërtimin e shkollave në të gjithë vendin.